“Gati për atentate…”, arsenali i armëve në bazën e Ervis Martinajt, policia nuk shoqëron asnjë

Policia e Shtetit nuk ka shoqëruar apo arrestuar asnjë person lidhur me zbulimin dhe sekuestrimin e armëve dhe municionit luftarak, dje në Fushë Kuqe, në banesat e Ervis Martinajt dhe dy xhaxhallarëve të tij, Faik dhe Rakip Martinajt.

Mësohet se armët e municionet u zbuluan të futura në kosheret e bletëve në një ambient të përbashkët të familjes Martinaj.

Burimet bëjnë me dije se dy xhaxhallarët e të shumëkërkuarit ndodheshin prezent, por për arsye të paqarta nuk dihet se përse nuk janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje.

Burime nga organi i akuzës në Kurbin shprehen se urdhri është dhënë për kontrolle të befasishme, dhe se është kopetencë e Policisë për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me sendet e jashtëligjshme të gjetura.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit  Kontrolle të befasishme në 3 banesa dhe në disa ambiente, në Fushë Kuqe. Kontrollet, në kuadër të hetimeve në funksion të dy procedimeve penale “Plumbi i artë” dhe “Rrëmbim personi”. Kontrollet, të mbështetura nga Forcat e Lëvizshme Operacionale të Policisë së Shtetit, FNSH dhe RENEA. Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 silenciator, mijëra municione luftarake, radio, fenelina, uniforma policie, maska dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Mëngjesin e sotëm, shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, mbi bazën e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, regjistruar në SPAK, për vepra të rënda penale të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, ushtruan kontroll në banesat e shtetasve: E. M., F. M. dhe R. M. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në koshere bletësh dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, sendet e mëposhtme:

• 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.
Gjatë kontrollit nuk janë gjetur vlera monetare. Provat materiale do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.


Shtuar 27.12.2022 11:21