Gati “lista e zezë” e PD, çfarë po paralajmëron administratori i selisë blu: Do i çojmë te ndërkombëtarët

Partia Demokratike pritet që të bëjë një listë me emrat e të gjithë atyre që ajo i konsideron organizatorë të protestës së dhunshme të 8 janarit të zhvilluar në selinë blu.

Lajmin e ka bërë me dije administratori i përgjithshëm i selisë blu, Albert Avdyli.

Më tej në deklaratë thuhet se çdo tentativë për të sulmuar apo dhunuar PD do të marrë përgjigje ligjore të merituar.

NJOFTIM I ADMINISTRATORIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, ALBERT AVDYLI

8 janari ishte një ditë e keqe për demokratët!

Më 8 janar një skenar dhune i parapërgatitur u zbatua ndaj Partisë Demokratike, duke rrezikuar jetën e dhjetëra demokratëve brenda dhe jashtë selisë. Jo vetëm që urdhëruesit, organizuesit dhe ekzekutorët nuk u distancuan nga dhuna, por rinisën në mënyrë të papërgjegjshme thirrjet për më shumë dhunë dhe për gjak.

PD nuk mundet kurrë të shndërrohet në arenën e përplasjes mes demokratëve.

PD është distancuar dhe distancohet nga dhuna. Për ne, asgjë nuk vlen më shumë se jeta e qytetarëve, jeta e demokratëve, që më 8 janar u perdorën si mish per top nga njeriu që i kanë shërbyer në 30 vite. Të zëvendësosh 44 mijë “anëtarë” të pretenduar partie, me 44 mijë copa betoni, gurë dhe hekura që hidhen mbi kokat e demokratëve që janë brenda selisë, është tentativë për t’iu imponuar shumicës me dhunë dhe mashtrime.

E dhimbshme ta them, por pas tentativës për të vrarë demokratët, Sali Berisha dhe çdokush tjetër që zbatoi apo frymëzoi dhunën ndaj PD dhe demokratëve, kanë ndërprerë çdo marrëdhënie me partinë dhe institucionin. Çdo tentativë e tyre për të sulmuar apo dhunuar Partinë Demokratike do të marrë përgjigje ligjore.

Tentativat e tyre për dhunë dhe gjak do të dështojnë, sepse, siç u vërtetua më 8 janar, dhuna dhe gjuha e dhunës është e shkuara dhe jo e ardhmja e kësaj partie. PD do të njoftojë zyrtarisht institucionet ligjzbatuese të vendit dhe partnerët nderkombëtarë për listën e plotë të atyre që organizuan, nxitën, përgatitën dhe ekzekutuan dhunën mbi demokratët, të cilët nuk i lidh më asgjë me selinë e PD dhe me demokratët.

Pas dhunes se 8 janarit dhe përpjekjeve të vazhduara për të dhunuar dhe dëmtuar selinë e PD, të cilat kanë edhe kosto financiare, PD do të marrë çdo masë shtesë sigurie të nevojshme.

PD është e hapur vetëm për debate, diskutime dhe mendim ndryshe, jo për akte dhune që tentojnë të zëvendësojnë shumicën legjitime të demokratëve./albeu.com/


Shtuar 11.01.2022 15:34