Gasperini synon trofeun e parë me Atalantan

Gian Piero Gasperini mund ta konfirmojë transformimin e Atalantas në një ekip elitar duke e fituar trofeun e parë si trajner, të mërkurën, në finalen e Kupës së Italisë kundër Juventusit. Tekniku 63-vjeçar ka bërë revolucion tek ekipi i qytetit të Bergamos, drejtimin e të cilit e mori para pesë vjetësh.

Të mërkurën mbrëma (21:00) në “Mapei Stadium”, Atalanta synon trofeun e dytë në histori. Të parin e ka fituar në vitin 1963, pikërisht në këtë garë. Kjo finale do të shoqërohet me tribuna të mbushura me tifozë, të cilët kthehen në një stadium në Itali për herë të parë pas më shumë se një viti.

Në fakt sezoni i Juventusit është kryekëput në dorën e ekipit të Gasperinit, i cili tashmë ka konfirmuar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e tretë rresht. Juventusi po synon vendin e katërt në kampionat dhe këtë mund t’ia mundësojë Atalanta, që në ndeshjen e fundit të këtij edicioni, të dielën, e pret në Bergamo skuadrën e Milanit. Fitorja apo barazimi i Atalantas me Milanin do t’ia mundësojë Juventusit pozitën e katërt në tabelë, me kusht që triumfon ndaj Bolognas. Juventusi aktualisht është i pesti në Serie A me 75 pikë derisa Atalanta renditet e dyta me tri më shumë. Kështu që edicioni i Juventusit varet nga Atalanta, si për trofeun e Kupës ashtu edhe për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër.

 

“Jemi të gatshëm për ta fituar trofeun e Kupës së Italisë përballë Atalantas, por shpresojmë të sigurojmë edhe pozitën e katërt në tabelë, e cila nuk varet nga ne. Megjithatë, fokusi ynë do të jetë në finale për shkak se është herët të mendojmë për duelin në kampionat që na pret të dielën”, ka thënë trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo.

Për Pirlon ky ka qenë një edicion i përzier. Ai po punon si trajner për herë të parë. Ai po ndjek trofeun e dytë me Juventusin këtë vit, pasi në janar e mposhti Napolin në ndeshjen e Superkupës. Mirëpo krahas trofeut të Kupës, te Juventusi e kanë në mendje edhe duelin e fundit të këtij sezoni, atë në udhëtim te Bologna.

“Është një finale shumë e rëndësishme për ne pasi, përballë kemi Juventusin. Ky trofe do të thotë shumë për ne, saktësisht do të përkufizonte një edicion fantastik. Kështu që do të bëjmë të pamundurën për t’i gëzuar tifozët tanë pas një viti të vështirë shkaku i koronavirusit”, është shprehur trajneri i Atalantas, Gasperini. “Do të jetë një finale e vështirë, pasi Juventusi vjen pas dështimit në kampionat dhe synon që titullin e humbur ta kompensojë me Kupën e Italisë”.

Nëse Atalanta përfundon nënkampione e Italisë, atëherë ky do të ishte suksesi më i madh në histori të klubit. Gjithashtu, nëse triumfon të dielën ndaj Milanit, Atalanta do të vendosë rekord të klubit sa u përket fitoreve në Serie A, gjithsej 24. Ndërsa sa i përket sulmit, Atalanta është ekipi më efikas këtë edicion në kampionatin italian me 90 gola të shënuar pas 37 xhirove të luajtura deri më tani.

Gasperini i ka meritat më të mëdha që e ka vendosur Atalantan, një ekip i vogël nga veriu i Italisë, në mesin e skuadrave elitare të Evropës për herë të parë. Rruga për ta ngritur deri këtu Atalantan nuk ka qenë aspak e lehtë, ka pranuar Gasperini.

“Kur firmosa për herë të parë me ekipin, edhe kualifikimi në Ligën e Evropës ishte mision i pamundur, pra as që bëhej fjalë për pjesëmarrja në ndonjë garë evropiane. Mirëpo brenda pesë vjetëve kemi arritur të rritemi shumë si ekip dhe për këtë jam krenar, ndonëse ky vit ishte më i vështiri prej të gjithëve”, ka thënë Gasperini. “Gjithmonë thuhet se pa ngritur trofe nuk ke fituar asgjë. Mirëpo unë nuk mendoj kështu, sepse atë që e kam bërë me Atalantan gjatë kësaj periudhe është e barabartë me një trofe. Kemi barazuar rekordin e pikëve dhe synim e kemi ta thyejmë këtë duke i tubuar 80 pikë në total, që edhe ka qenë synimi i tri edicioneve të fundit”.

Pas triumfit në Kupën e Italisë në vitin 1963, Atalanta edhe tri herë të tjera ka arritur në finale, por që nuk ka triumfuar, në vitet 1987, 1996 e 2019. Megjithatë, Gasperini ka insistuar se Juventusi do të jetë nën presion dhe jo skuadra e tij.

“Ne jemi të qetë dhe nuk kemi presion sikurse Juventusi”.

Pirlo, që mori drejtimin e Juventusit para fillimit të këtij sezoni, ka pasur vështirësi të mëdha. Megjithatë, ai dëshiron ta fitojë këtë trofe, i cili do të ishte i 14-i në histori të klubit. Sipas Pirlos, fitorja ndaj Atalantas do ta motivonte ekipin e tij përpara ndeshjes së fundit kampionale. Herën e fundit Juventusi ka triumfuar në Kupë në vitin 2018, kurse kjo do të jetë finalja e 20-të për ekipin nga Torino.

“Kam bërë shumë gabime, por ky është edicioni im i parë dhe kam pasur nevojë për një përvojë të tillë, e cila do të më shërbejë shumë për të ardhmen”, pranoi Pirlo.

Ngjashëm sikurse Pirlo, edhe kapiteni i Juventusit, Giorgio Chiellini po shpreson që ta ngrejë trofeun të mërkurën mbrëma. Për Chiellinin, ky do të ishte trofeu i pestë i Kupës së Italisë karshi nëntë titujve të kampionit. Megjithatë, Chiellini shpreson që Juventusi të dielën të sigurojë edhe Championsin.

“Ky ishte një edicion shumë i komplikuar dhe do të mundohemi ta fitojmë Kupën e Italisë për të zbutur paksa zhgënjimin. Nuk do të jetë lehtë, sepse përballë kemi Atalantan, një ekip që luan futbollin më atraktiv në Evropë”, shtoi Chiellini.

Finalja e Kupës së Italisë do të ketë numër të limituar tifozësh në tribuna. Në stadiumin ku Sassuolo i luan ndeshjet si vendas, do të lejohet 20 për qind e kapacitetit që të mbushet me tifozë. Kjo do të jetë hera e parë pas më shumë se një viti që tifozët janë kthyer në tribuna në duelet e Serie A, ndonëse javën e shkuar në turneun e tenisit “Italian Open” në Romë u lejua një numër i tyre. Ky do të jetë një test për futbollin italian përpara “Euro 2020”, pasi ndeshjet e këtij turneu, që do të luhen në stadiumin “Olimpico” të Romës, do të kenë në tribuna 25 për qind të kapacitetit.


Shtuar 19.05.2021 08:48