Ndërsa afati zyrtar për dorëzimin e dosjeve nga ata që duan të drejtojnë policinë e shtetit ka përfunduar, Ministria e Brendshme ende nuk ka publikuar zyrtarisht listën.
Por burimet bënë të ditur se një nga kandidatët është Neritan Nallbati. Ai aktualisht drejton Policinë Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme. Nallbati ka një karierë të gjatë në polici, si drejtues në Durrësit, Berat, Fier etj.
Pëllumb Seferi, është një tjetër emër që konsiderohet me potencial të fortë brenda policisë. Prej dy vjetësh Seferi drejton Departamentin për Marrëdhënjet Ndërkombëtare, ndërsa mban dhe gradën Drejtues i Lartë.
Pëllumb Seferi, ka mbaruar Akademinë Ushtarake në Itali, ku ka ndjekur studimet në Shkollën e Lartë të Aplikimit në Torino si dhe është diplomuar për Shkenca Politike po atje .
Ai ka kryer edhe kurse në SHBA nën drejtimin e FBI, si dhe disa të tjera të PAMECA. Gjatë këtyre viteve ai ka spikatur në fushën e ekstradimeve.
Skender Hitaj, është një tjetër emër që kandidon. Ai është drejtor në Durrës, ndërsa më herët ka shërbyer në disa funksione brenda policisë si në Dibër, Shkodër etj.
Ilir Proda, i cili drejton policinë e Elbasanit dhe po hetohet nga SPAK për dekonspirimin e një aksioni, është gjithashtu një kandidat që i është bashkuar thirrjes për pozicionin vakant për të zëvëndësuar Rrumbullakun.
Emra të tjerë në garë janë Rebani Jaupi, aktualisht drejtor për Rendin dhe Sigurinë Publike, shefi i Interpolit Idajet Faskaj, Ardian Çipa etj.
Kandidatët do të shqyrtohen nga një komision në Ministrinë e Brendshme dhe brenda 10 ditëve emri fitues do t’I dorëzohet ministrit të Brendshëm.