Furnizuan për 5 vite Venecian me drogë, Italia fundos përgjithmonë bandën shqiptare

Policia italiane ka goditur një tjetër grup të narkotikëve, në të cilën rezultojnë të përfshirë edhe shtetas shqiptarë.

Mësohet si rrjeti funksiononte duke marrë kokainë nga Holanda dhe kanabis nga Shqipëria, dhe ka furnizuar me lëndë narkotike zonën e Venecias që prej vitit 2016. Mediat italiane kanë bërë me dije se Policia ka sekuestruar dhjetëra kilogramë drogë, ndërsa ka kërkuar prangosjen e 24 personave.

Gjykatësi Gilberto Sigliano Messuti, dënoi 33-vjeçarin shqiptar Bujar Sefa me 12 vjet, 9 muaj dhe 10 ditë burg, duke i konfiskuar 346 mijë euro. Për Prokurorinë italiane, ai është personi që drejtoi dhe organizoi grupin e trafikantëve dhe tregtarëve të drogës në Itali, në bashkëpunim me vëllezërit e tij.

Islam Sefa u dënua me 9 vite e 9 muaj burg dhe Jetmir Sefën me 5 vite e 4 muaj. Ndërkohë me 4 vjet e 5 muaj u dënua i arratisuri Vait Sana, i konsideruar dora e djathtë e “shefit” Bujar Sefa.

Me 6 vjet e 2 muaj dhe një gjobë prej 20 mijë eurosh është dënuar Nikoll Murrizi, 35 vjeç, i cili jetonte në Tessera. Një ndëshkim i vogël prej 10 muajsh është dhënë për një nga pjesëtarët e grupit, Luigj Makaj. Ndërkohë që të ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së drogës ishin Elton Bakiu, i cili është dënuar me 5 vjet e 7 muaj burgim dhe Denis Albrino, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg dhe një gjobë prej gati 13,000 euro.


Shtuar 25.03.2021 15:41