Furgoni me ushqime në Berat, dy zyrtarët e Bashkisë përfundojnë në SPAK

Dy persona dhe një furgon me pako ushqimore me vulën e Rezervave Materiale të Shtetit u ndaluan në flagrancë nga eksponentë të PD-së dy ditë më parë në Berat, pas dyshimeve se po shpërndaheshin në këmbim të votës në zgjedhjet e 25 prillit.

Pas kapjes në flagrancë të furgonit të Bashkisë Berat, që sipas opozitës ishte mbushur me ushqime për t’u shpërndarë nga Partia Socialiste në këmbim të votës, drejtues të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë bërë kallëzim penal mbrëmjen e djeshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, ku më pas u shoqërua edhe furgoni i ngarkuar me ushqime. Për disa orë me radhë, në Prokurorinë e Beratit janë marrë në pyetje shoferi i furgonit, Hekur Komani, dhe kryetarja e Rajonit Bashkiak nr.2, Joana Melëngu, që është njëkohësisht edhe anëtare e një prej KZAZ-ve në Berat.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se, Melëngu dhe Komani kanë deklaruar përpara Oficerit të Policisë Gjyqësore se ushqimet që ndodheshin në furgon ishin ushqimet për familjet e prekura nga pandemia Covid-19.

Sipas dy punonjësve të bashkisë, ushqimet po transportoheshin në magazinat e Drejtorisë Arsimore të Bashkisë Berat për të liruar sallën e konferencave, ku ishin vendosur prej disa muajsh. Pas deklarimeve të marra dhe denoncimit të bërë nga opozita, Prokuroria e Beratit ka vendosur ta përcjellë dosjen për hetim në SPAK, për mungesë kompetence në këtë hetim. Burimet zyrtare të Prokurorisë deklarojnë se Joana Melëngu dhe Hekur Komani akuzohen për “Korrupsion Pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga Neni 328 i Kodit Penal.

Prokuroria e Beratit është në pritje të hetuesve të SPAK për të këqyrur furgonin e sekuestruar nga Prokuroria e Beratit mbrëmjen e djeshme si dhe marrjen në dorëzim të dosjes hetimore në ngarkim të dy zyrtarëve të bashkisë së Beratit. Në kohën kur na ndajnë edhe 5 ditë nga data e zgjedhjeve, kanë nisur që të shënohen incidentet e para lidhur me tentativën e shitblerjes së votës nga subjektet politike. Një rast i denoncuar në media dje vinte pikërisht nga Shkodra.

Disa qytetarë kanë ndaluar në orët e natës një makinë me dy persona brenda saj, ku u është gjendur një listë me emra dhe një fletë votimi e shënuar me x për subjektin politik PSD, të drejtuar nga Tom Doshi, që është edhe pjesë e listës së kandidatëve të kësaj force politike në Qarkun e Shkodrës. Në fletë janë shënuar disa emra të shoqëruar edhe me numrat e telefonit nga pas, ndërsa letra mban sipër datën 14 prill 2021. Sipas qytetarëve që kanë denoncuar këtë rast, këta dy persona ishin duke blerë vota dhe duke u treguar banorëve të zonës se si të votonin kandidatin e PSD-së në Shkodër. Njëri nga të pranishmit e pyet të riun në makinë pse ka qenë te shtëpia e tezes së tij dhe ata shprehen se do t’i çojnë në komisariat.


Shtuar 21.04.2021 08:55