Fundoset tjetër varkë me emigrantë pranë Tunizisë, të paktën 19 persona humbin jetën

Një tjetër anije me emigrantë nga vendet e Afrikës Sub-Sahariane është fundosur në afërsi të Tunizisë, duke rezultuar në vdekjen  e të paktën 19 personave, tha një organizatë për të drejtat e njeriut.

Në katër ditët e fundit, pesë varka me emigrantë janë fundosur pranë qytetit verior të Tunizisë, Sfax, duke lënë 67 persona të zhdukur dhe nëntë të vdekur, pasi nisjet e anijeve me emigrantë me destinacion Italinë janë rritur ndjeshëm.

Roja bregdetare tuniziane shpëtoi në brigjet e Mahdia pesë persona që ishin në një varkë që kishte lundruar nga Sfax, tha Romandan bin Omar zyrtar i Forumit për të Drejtat Sociale dhe Ekonomike (FTDES).

Në të njëjtën kohë, roja bregdetare ka ndaluar në katër ditët e fundit rreth 80 varka me destinacion Italinë dhe ka arrestuar mbi 3 mijë emigrantë, kryesisht nga vendet e Afrikës subsahariane.

Bregdeti pranë qytetit të Sfax kohët e fundit është bërë një pikë kryesore nisjeje për shumë migrantë nga Afrika dhe Lindja e Mesme që ikin nga vendet e tyre për t’i shpëtuar konfliktit dhe varfërisë në kërkim të një jete më të mirë në Evropë.

Sipas shifrave të OKB-së, të paktën 12,000 emigrantë që mbërritën në Itali këtë vit u larguan nga Tunizia, krahasuar me 1,300 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deri kohët e fundit, Libia ishte vendi kryesor i nisjes për emigrantët nga Afrika. /albeu.com


Shtuar 26.03.2023 07:11