Rrugët drejt juglindjes së vendit janë përballur sërish me trafik të rënduar, pasi numri i lartë i automjeteve që u janë drejtuar qyteteve dhe zonave turistike ka shkaktuar bllokime në aksin kombëtar Tiranë–Rrethrrotullimi i Bradasheshit-Elbasan.
Ky segment mbetet një prej pjesëve më të mbingarkuara të qarkullimit gjatë sezonit veror.
Të lidhura
None found
Në hyrje të Elbasanit dhe pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit situata paraqitet veçanërisht e rënduar, për shkak se në këtë pikë ndërthuren disa akse rrugore dhe fluksi i mjeteve shtohet ndjeshëm.
Qindra automjete po lëvizin me ritëm shumë të ngadaltë dhe po përballen me pritje të zgjatura, ndërsa vargu i mjeteve është shtrirë në disa kilometra, duke u krijuar drejtuesve të automjeteve vështirësi të mëdha.
Shumë banorë të kryeqytetit kanë zgjedhur fundjavën për të udhëtuar drejt destinacioneve turistike të juglindjes, mes tyre Pogradeci, Korça, Prespa, Dardha, Voskopoja dhe zonat përreth. Si pasojë, qarkullimi nisi të rëndohej që në orët e para të pasdites së premte.
Në shtimin e këtij fluksi kanë ndikuar jo vetëm pushuesit vendas, por edhe automjetet me emigrantë dhe vizitorë që ndodhen në Shqipëri gjatë këtij fillim sezoni veror.
Lëvizja “hap pas hapi” e mjeteve ka sjellë vonesa të shumta, ndërsa temperaturat e larta e kanë bërë edhe më të vështirë situatën për shoferët dhe pasagjerët, të cilët janë detyruar të qëndrojnë gjatë në trafik.
