Fshehën vrasjen e të birit, flet babai i Egli Progës: Policia të pastrohet nga elementë që s’dinë të bëjnë punën

Nazmi Proga, babai i Eglit i cili u dhunua brutalisht për vdekje nga 29-vjeçari Denis Mece, kërkon drejtësi për ngjarjen e rëndë.

Ai thotë se është tejet i zhgënjyer nga Policia lidhur me veprimet që ka ndjekur, teksa tregon se i biri është goditur për t’u vrarë, dhe në asnjë mënyrë nuk ka pësuar infarkt ose të jetë rrëzuar sikurse pretendon Policia.

Policia ka shkuar me vonesë në vendin e ngjarjes dhe ka tentuar që ta fshehë krimin vazhdimisht. Edhe ambulanca ka shkuar me vonesë, pavarësisht se spitali është shumë pranë vendit të ngjarjes.

Babai i Egli Progës kërkon që Policia të pastrohet nga elementë që nuk dinë të bëjnë punën me ndershmëri dhe të mos fshehin ngjarje të tilla kriminale.

“Unë kërkoj ndihmë të përkushtuar nga shteti. Drejtësia të veprojë dhe të dali e vërteta. Policia të pastrohet nga elementë që nuk dinë të bëjnë punën. Unë një djalë kisha, e kam rritur me mund e me djersë. Ka dy fëmijë për të rritur, e la gruan e ve! Dhe unë nuk dua që të mbyllet ky muhabet kot më kot, po drejtësia ta vendosë pikën mbi ‘I’”,– deklaron ai.


Shtuar 13.08.2024 10:13