FOTO LAJM/ Presidenti Begaj pritet në një audiencë të veçantë nga Shenjtëria e tij, Papa Francesku

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj u prit sot në një audiencë të vecantë në Selinë e Shenjtë në Vatikan nga Shenjtëria e tij, Papa Francesku.

Kjo është hera e dytë që Presidenti Begaj pritet në audiecë nga Ati i Shenjtë, pas vizitës së parë që zhvilloi në Vatikan në dhjetor të vitit 2022.

Kreu i shtetit falendëroi përzemërisht Papa Franceskun për këtë pritje duke i shprehur atij urime të sinqerta për angazhimin e fuqishëm në përhapjen e paqes përmes mesazheve të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftrave sidomos në zonat e e nxehta të konfliktit; Ukrainë e në Lindjen e Mesme.

Presidenti i Republikës konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në krah të aleatëve perëndimorë për zgjidhjen përmes dialogut, si i vetmja garanci për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit dhe me gjerë.Presidenti Begai i dhuroi Atit të Shenjtë një pikturë të Kishës së Kuvendit të Rubikut, një ikonë e krishtërimit shqiptar dhe një ndër kishat më të vjetra në Ballkan

Presidenti Begaj u prit në një takim edhe nga Sekretari i Shtetit, Kardinal Parolini.

Gjatë këtij takimi u diskutua për proceset integruese që Shqipëria ka ndërmarrë si pjesë natyrale e Evropës dhe që tani me avancimin e reformave pret të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.

Presidenti Begaj falenderoj Sekretarin e Shtetit për mbështetjen që Selia e Shenjtë i jep proceseve integruese të Shqipërisë. Edhe për Kosovën, Presidenti i Shqipërisë i përcolli Sekretarit të Shtetit progresin që Kosova ka bërë në procesin e reformave, të shtetit të së drejtës, respektimin e pakicave dhe integrimit në organizmat ndërkombëtare.

Kreu i Shtetit theksoi vijimësinë e angazhimit të tij për thellimin e bashkëpunimit duke iu referuar edhe lidhjes të Selisë së Shenjtë me Kishën katolike shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë.

Kjo është hera e dytë që Ati i Shenjte i rezervon audiencë të veçantë, Presidentit Begaj.

 


Shtuar 6.05.2024 16:57