“Foli pragut të dëgjojë dera”, Artan Hoxha zbulon të tjera detaje nga ekzekutimi i Mond Çekiçit

Gazetari Artan Hoxha ka bërë të ditur të tjera detaje nga vrasja e Edmond Çekiçit. Hoxha ka thënë në ABC se kjo ndodh pasi vëmendja e policisë në këtë kohë është e përqendruar tek lëvizja e liderëve në vend, në kuadër të fushatës.

“Në këtë situatë, do të ketë edhe të tjera në vijimësi. Situata në tërësi i ndihmon elementët kriminelë, me një mundësi të tillë të artë,” u shpreh Artan Hoxha.

Sipas Hoxhës, 40-vjeçari mund të jetë vrarë për t’u përcjellë një mesazh dy personazheve të tjera, Plarent Dervishajt dhe Lulzim Berishës.

 “Çekiçi është një personazh që është përballur shumë mirë me sistemin e drejtësisë. Dhe ka mbijetuar. E gjetën kundërshtarët dhe e eliminuan. Është një personazh i rëndësishëm. Jo i panjohur.”

Duke bërë një krahasim me mënyrën sesi u bë atentati ndaj Plarent Dervishajt në qershor të vitit 2019 në Shkozet, gazetari gjykon se po t’i shohësh të dyja ngjarjet duken thuajse identike.

“Autorët ishin veshur njëlloj si në vrasjen e Çekiçit, më uniforma policie, me kallashnikovë. Moskoordinimi i tyre, bëri që shoferi ta çonte fuoristradën rreth një godine, u ul dhe pati mundësi të zbriste.  Po t’i shohim të dyja ngjarjet janë identike. Nuk është çudi që të jenë të njëjtët autorë, nuk u zbuluan.”

Artan Hoxha shton më tej se goditja e Çekiçit mund të jetë bërë në një mënyrë “foli pragut të dëgjojë dera”, në mungesë të atyre që quhen si drejtues të bandës së Durrësit.

“Plarent Dervishaj ishte emër shumë i madh në Durrës, nuk ishte goditur ndonjëherë. Një nga njerëzit më të afërm të Berishës. Kishin një ftohje, por në këto momente, njeriu më përfaqësues i të dyve në Durrës ishte Çekiçi…Në mungesë të atyre që quhen si drejtues të bandës së Durrësit, njeriu më i rëndësishëm pas tyre ishte Çekiçi.

Shtuar 22.03.2021 02:03