Shqipëria i ka pak të zhvilluara tregjet financiare virtuale, por miratimi i një kuadri rregullator për kriptovalutat mund të rrisë rreziqet për pastrimin e parave dhe mashtrimeve vuri në dukje Fondi Monetar Ndërkombëtar në rishikimin e fundit të ekonomisë shqiptare.
“Ndërsa aktiviteti i aseteve virtuale mbetet i kufizuar në vend aktualisht, miratimi i një kuadri rregullator mund të krijojnë kërkesa më të mëdha në këtë drejtim. Kjo mund të çojnë në rreziqe, duke përfshirë pastrimin e parave dhe mashtrimet, në një kohë që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare Shqiptare (AMF) nuk ka burime, ekspertizë të mjaftueshme dhe aftësinë për të zbatuar rregulloren” thuhet në deklaratën e Fondit.
Monedhat virtuale janë një lloj aktivi virtual, thelbësisht të varur nga teknologjia e regjistrave të shpërndarë (“Distributed Ledger Technology” – DLT), të cilët i japin përdoruesit të drejta përfitimi, pronësie ose mund të përdoren si instrument pagese apo mjet utilitar, në procesin e blerjes së produkteve apo të shërbimeve, shpjegohet në relacion.
Kur kërkoi miratimin e ligjit në Kuvend qeveria pranoi se siç ka përfitime ka edhe rreziqe. “Për të shfrytëzuar sa më mirë përfitimet që ofron kjo teknologji, por edhe për të adresuar një sërë rreziqesh të mundshme, siç janë krijimi i skemave mashtruese, apo i skemave të paautorizuara për të ofruar aktive virtuale, rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut, nevojitet një kornizë ligjore e plotë, në mënyrë që ky aktivitet të rregullohet” theksoi qeveria, por tashmë ky ligj është në fuqi, pavarësisht se krijimi i mekanizmave përforcues kërkon kohë, mjete financiare dhe burime njerëzore në dispozicion.
Nëpërmjet teknologjisë mund të kalosh pa kontrollin e bankës qendrore aksionet e një biznesi, hipotekën e shtëpisë, sigurimin e pronës apo transfertat e emigrantëve, duke shmangur sinjalizuesit e fenomenit të pastrimit të parave. Këtë funksion e kryejnë aktualisht bankat / shoqëritë financiare që duhet të njoftojnë në kohë reale pastrimin e parave për transaksione mbi 10 000 euro, ashtu si dhe noterët që e kanë të detyrueshme të njoftojnë, në rast dyshimi për pastrim parash.
FMN bëri thirrje që AMF duhet të forcojë monitorimin e asetit virtual ekosistemin dhe komunikimin me investitorët, si dhe zbatimin e kuadrit brenda fushës së tij. Në të njëjtën kohë, mungesa e kornizave rregullatorë ndërkombëtare virtuale në aktivitetin e aseteve virtuale e bën këtë edhe më sfiduese për AMF-në bashkëpunimin me organet rregullatorë ndërkombëtare.
Deri tani, në Europë vetëm dy shtete kanë marrë hapa për të zbatuar një legjislacion të caktuar për aktivet virtuale, të cilat nuk mbulohen nga kuadri ekzistues i Bashkimit Europian. Kështu, Malta ka në fuqi një ligj për aktivet virtuale, Franca e ka miratuar ligjin në prill të vitit 2019, sipas relacionit që shoqëronte.
Ligji u miratua rreth një vit më parë dhe tashmë po hartohet kuardi rregullator që mundëson zbatimin e tij. Pak javë më parë përgatiti edhe grupin e dytë të projektrregulloreve që do të mundësojnë licencimin dhe funksionimin e subjekteve financiare të lidhura me tregtimin e kriptovalutave, bazuar në ligjin e vitit 2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”./Monitor