Kërkesa e lartë dhe pakësimi i ofertës nga zënia e pronave për dhënie me qira ditore, ka sjellë rritjen e çmimeve të qirave afatgjatë mesatarisht nga 10 deri në 20% për një vit, sipas Stela Dhamit, menaxheres së agjencisë ndërkombëtare të pronave Colliers International Albania.
Aktualisht, sipas znj. Dhami, çmimet në zonat kryesore të Tiranës, variojnë nga 500 deri në 800 euro për apartamente 1+1. Për apartamentet 2+1, çmimet variojnë nga 800 deri në 2,500 euro.
Ndërsa për apartamente me sipërfaqe më të madhe, qiraja është mbi 2,500 euro në muaj.
Znj. Dhami, thotë se në zonat periferike të kryeqytetit, të cilat njihen për stok cilësor, këto çmime mund të shkojnë nga 4,000 deri në 10,000 euro në muaj për njësi rezidenciale cilësore, si vila me hapësira të mëdha për rekreacion e hapësira të gjelbra përreth ambientit.
“Çmimet e qirave të banimit janë në rritje, një trend i cili vazhdon ndër vite në Tiranë. Rritja nga 10 deri në 20% është e konsiderueshme për nivelin e të ardhurave të konsumatorit shqiptar. Niveli i rritjes është i konsiderueshëm, duke marrë parasysh të ardhurat e familjeve shqiptare.
Përfaqësuesja e agjencisë “Colliers International Albania” parashikon se çmimet e qirave për banim në qendër të Tiranës do të mbeten të larta për vite, nëse vazhdon trendi i fluksit të të huajave.
Si kanë ndryshuar çmimet e qirave në disa zona të Tiranës
Qiratë e apartamenteve në Tiranë, këtë vit janë rritur mesatarisht deri në 50 euro për njësi, krahasuar me vjet, sipas agjentëve imobiliarë.
Sipas tyre, brenda Unazës së Vogël në Tiranë nuk gjen apartamente banimi 1+1, me çmim nën 500 euro në muaj.
Sipas të dhënave të marra nga agjencitë imobiliare, në Tiranë, zona më e shtrenjtë për qiratë e apartamenteve 1+1 vijon të mbetet pranë stadiumit “Air Albania”.
Çmimi mujor i qirasë për këto apartamente është 800 euro, nga 650 euro që ishte vjet. Rritja është 23%.
Ndërsa çmimi maksimal për apartamentet 2+1 ka arritur deri në 1,300 euro, nga 1,200 euro në muaj që ishte vitin e kaluar.
Në zonën e ish-Bllokut, çmimi i qirave për apartamente 1+1 në shtator të këtij viti arriti deri në 800 euro në muaj nga 750 euro që ishte niveli maksimal i qirasë vitin e kaluar.
Rritja është rreth 7%. Ndërsa për prona 2+1, qiratë variojnë nga 1,000 deri në 1,300 euro, nga 950 deri 1,000 euro në muaj në muajin shtator të 2023.
Brenda Unazës së Vogël, çmimet e qirasë për prona 1+1 janë 500 euro në muaj, ndërsa për njësi 2+1, çmimet maksimale arrijnë deri në 1,000 euro në muaj.
Për apartamentet pranë Komunës së Parisit, me sipërfaqe 1+1, çmimet e qirasë kanë mbetur të pandryshuara krahasuar me vjet.
Lorina Rada, broker e agjencisë CPM, thotë se në këtë zonë nuk gjen lehtësisht më prona të lira 1+1 që jepen me qira. Ndërsa për prona 2+1, çmimet maksimale vijojnë të mbeten në nivelet e vitit të kaluar, nga 700 deri 800 euro në muaj.
Edhe në zonat si Don Bosko dhe Zogu i Zi, çmimet janë shtrenjtuar. Nga 500 euro në muaj që ishin shtëpitë 1+1 vjet në këto zona, çmimi i qirasë ka arritur në 600 euro në muaj këtë vit. Rritja është 20%.
Ndërsa për prona me sipërfaqe 2+1, çmimet e qirave kanë arritur deri në 800 euro, nga 650 euro që ishte vjet çmimi më i lartë.
Rritje të çmimeve të qirave, ka pasur edhe në zonat periferike. Në zonat si Kinostudio, Astir dhe Fresku, çmimi i qirave në apartamente 1+1 varion nga 350 deri në 600 euro, ndërsa vjet çmimet varionin nga 350 deri në 450 euro në muaj.
Për prona 2+1, çmimet e qirave sivjet variojnë nga 450 deri në 900 euro, nga 350 deri 500 euro në vitin paraardhës.
Dritan Leka, nga agjencia imobiliare CPM, parashikon që në periferi çmimet do të shtrenjtohen sërish, veçanërisht në Astir dhe Paskuqan.
“Në të dyja këto zona, për shkak të zhvillimeve urbanistike dhe infrastrukturore, në vijim do të ketë jo vetëm shtrenjtim të qirave, por edhe të shitjes së apartamenteve. Zhvillimi i tyre do të ndikojë automatikisht te shtrenjtimi i pronës, që tashmë ka nisur të reflektojë ndryshimet”.
Qiraja ditore pakëson stokun e apartamenteve për qira afatgjatë.
Rritja e numrit të turistëve të huaj, të cilët parapëlqejnë akomodimin në apartamente me qira ditore, për shkak të çmimeve të lira, ka rritur ndjeshëm numrin e strukturave rezidenciale të regjistruara në platformat Airbnb dhe Booking.
Stela Dhami, nga Colliers Albania, thotë se shtimi i këtyre strukturave ka zvogëluar stokun e qirasë afatgjatë, duke shtrenjtuar çmimet.
“Çmimet vijojnë trendin e rritjes, sidomos në zonat qendrore, duke ditur që stoku rezidencial është në mënyrë të drejtpërdrejtë i lidhur me fluksin e rezidentëve në qytet.
Duke qenë se në Shqipëri, vitet e fundit vijon të ketë rritje të konsiderueshme të vizitorëve, të cilët në minimum kalojnë disa ditë në kryeqytetin shqiptar, atëherë shumë prej rezidencave në zonat e qendrës janë kthyer në modelin e rezidencave të dhëna me qira ditore. Pra në modelin Airbnb.
Në Tiranë, stoku i pronave po përdoret për hoteleri. Me gjithë projektet që po ndërtohen në hoteleri, përsëri kapaciteti i akomodimit të hotelerisë në Tiranë mbetet relativisht i ulët për një qytet me këtë lëvizje dhe fluks vizitorësh.
Po ashtu, ende nuk kemi një vendimmarrje në nivel lokal ose qendror që mund të ndërhyjë në treg për të limituar këtë stok, i cili në vetvete kufizon stokun rezidencial afatgjatë.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, kjo shkakton presion për rritjen e çmimeve dhe pamundësinë financiare të vendasve për t’u strehuar në njësi rezidenciale me qira afatgjatë.
Të mos harrojmë lëvizjet e zhvilluara në Portugali dhe Spanjë, kundër platformave Airbnb, pasi te rezidentët lokalë është rritur presioni dhe pamundësia e marrjes së një apartamenti me qira me qëllim banimi”.
Teksa oferta është e limituar, kërkesa për prona me qira është në rritje. Shtimi i ofertës është një ndër faktorët kryesorë që po shtrenjton qiratë, sipas agjentëve të tregut të pasurive të paluajtshme.
“Aktualisht, kërkesa dominohet nga çiftet e reja që kërkojnë të banojnë në apartamente me qira, pasi financiarisht e kanë të pamundur blerjen, dhe nga shtetasit e huaj, që punojnë në distancë.
Së fundmi është shtuar numri i të huajve që po zgjedhin të jetojnë në Tiranë, për shkak të kostove më të ulëta sesa vendet nga vijnë. Ne kemi p.sh., klientë nga Kanadaja, që nëse më parë qëndronin në shtëpi me qira ditore, tani parapelqejnë banesa me qira afatgjatë.
Kërkesa kryesohet nga të huajt e profesioneve në fushat si IT, financë apo marketing, që sigurisht kanë fleksibilitetin e të punuarit online”, thotë agjentja për pasuritë e paluajtshme Lorina Rada nga agjencia CPM.
Ndërsa çiftet e reja, sipas zonjës Rada, parapëlqejnë prona me qira afër zonave të qendrës, për shkak të afërsisë me vendin e punës, që të shmangin përdorimit të makinës.
Rritja e çmimeve të shitjes së apartamenteve është një tjetër faktor që po ndikon te shtrenjtimi i qirave, sipas z. Ylli Sula, drejtuesit të indeksit “Key Data”.
“Shtrenjtimi i çmimeve të blerjes ka ndikuar te rritja e qirasë, pasi tarifa më e lartë shkurton afatin e kthimit të investimit të pronës së blerë.
Në treg është shtuar oferta e apartamenteve të dhëna me qira ditore. Kjo ka ardhur për shkak të leverdishmërisë. Nëse një pronar blen një pronë e ka më të leverdishme të investojë për dhënie me qira ditore sesa afatgjatë, pasi për 10 apo 15 ditë nga qiraja ditore, arrin të sigurojë të ardhurat që do t’i merrte për një muaj. Por kjo ka pakësuar ofertën e strehimit për qira afatgjatë.
Ndër të tjera ka rritje të kërkesës nga shumë çifte të reja që e kanë të pamundur të përballojnë blerjen e një apartamenti me nivelin e çmimeve të sotme. Opsioni më i mirë për ta mbetet strehimi në banesa me qira”, pohon ai. /Monitor