Dhoma e Përfaqësuesve e Floridës, e udhëhequr nga republikanët, dha të enjten miratimin përfundimtar për ndalimin e abortit pas javës së gjashtë, duke i hapur rrugën kufizimit drastik të qasjes tek aborti në këtë shtet dhe në të gjithë jugun e SHBA-së.
70 ligjvënës të shtetit votuan në favor dhe 40 kundër kufizimeve të thella. Projektligji u miratua në Senatin e shtetit me një votim 26-13 më 3 prill.
Projekt-ligji, i cili bën përjashtime për abortet në rastet e përdhunimit, incestit dhe kur jeta ose shëndeti i nënës janë në rrezik serioz, shkon tani tek guvernatori Ron DeSantis për nënshkrim.
Zoti DeSantis, i cili pritet të kandidojë për president për zgjedhjet e vitit 2024, ka thënë se mbështet kufizimin e abortit në shtetit e Floridës pas javës së gjashtë të shtatzanisë. Florida aktualisht lejon abortet deri në 15 javë.
Mbështetja e kufizimeve më të thella mund të paraqesë rrezik politikisht për zotin DeSantis nëse ai fiton emërimin si kandidat i Partisë Republikane.
Megjithëse rreth 13 shtete në SHBA e ndalojnë abortin në javën e gjashtë dhe më herët, sondazhet kanë treguar vazhdimisht se shumica e amerikanëve mbështesin abortin e ligjshëm në shumicën e rasteve. Një sondazh i Reuters/Ipsos të mërkurën arriti në përfundimin se 43% e republikanëve thanë se kishin më pak gjasa të votonin për një politikan që mbështet kufizimin e qasjes ndaj abortit.
Fati i ndalimit mund të varet nga përfundimi i një padie ndaj ndalimit aktual të aborttit në javën e 15 në këtë shtet, për të cilin klinikat që ofrojnë abort kanë argumentuar se shkel të drejtën kushtetuese të shtetit për privatësi. Çështja ndodhet në Gjykatën e Lartë të Floridës.
Pacientë nga e gjithë juglindja e SHBA-së kanë udhëtuar në Florida për të ndërprerë shtatzënitë që kur Gjykata e Lartë e SHBA-së përmbysi vendimin Roe kundër Wade vitin e kaluar, duke rrëzuar mbrojtjen federale për abort. Shumica e shteteve të tjera në atë zonë e kanë ndaluar tashmë procedurën në fazat e hershme të shtatzënisë. /VOA