Flet vëllai i Edison Begajt: Nuk është dënuar për trafik droge dhe armësh, fëmijët dhe jeta e tij janë në rrezik

Vëllai i Edison Begajt, i arrestuar pak ditë më parë nga forcat RENEA si subjekt i OFL, ka dhënë një intervistë për gazetarin e News24, Enrik Mehmeti, ku ka folur për të kaluarën e tij.

Besnik Begaj ka hedhur poshtë akuzat që hidhen ndaj të vëllait për trafik droge dhe armësh, duke thënë se Edison Begaj ka marrë vetëm një dënim nga Gjykata e Vlorës për “moskallëzim krimi”.

“Unë jam Besnik Begaj, vëllai i Edison Begës, që emri i tij është përmendur shumë ditët e fundit, për faktin se vëllai im është plagosur para portës së shtëpisë nga një person i panjohur, i veshur me uniformë policie. E ka qëlluar në sy të dy fëmijëve të tij 6 e 7 vjeç. Ai ka ndenjur disa ditë i shtruar në spital, ka dalë nga spitali, e kemi çuar në shtëpi. Vëllai im është përfolur shumë, për faktin se ka qenë një trafikant droge dhe armësh, por kjo nuk është fare e vërtetë, sepse vëllai im ka qenë i akuzuar për trafikun e drogës dhe të armëve, por ka një vendim të Gjykatës së Lartë që e rrëzon këtë akuzë dhe i ka dhënë pafajësinë e plotë. Vëllai im ka marrë vetëm një dënim nga Apeli i Vlorës dhe Gjykata e Shkallës së Parë vetëm për moskallëzim krimi.

Vëllai im për 15 vite me radhë që ka jetuar në Shqipëri, nuk ka pasur ndonjëherë armë me vete, sepse nuk ka pasur probleme me njeri. Nuk ka pasur nevojë për armë. Në momenti që është plagosur para fëmijëve të tij, ku është goditur duke i rrezikuar jetën në mënyrë drastike, është pajisur me një armë zjarri, pasi agresori nuk është kapur, dhe atij i duhej të shkonte në punë, pasi ka një biznes të vogël në Lungomare. Që ditën që është plagosur, policia nuk i qëndroi të dhoma e spitalit për ta mbrojtur, por kemi qëndruar ne. Zotërinj të dashur shikoni dhe verifikoni biografinë e vërtetë të Edison Begës, pastaj gjykoni. Edison Bega ka lënë dy fëmijët rrugëve, është në gjendje kritike familja dhe jeta e tyre. Ju bëj lutje, unë nuk jam në Shqipëri, por ju bëj thirrje të gjithë shtetit shqiptar, gjykatës, policisë, prokurorisë, ta marrin seriozisht gjendjen e tij, ta ruajnë, dhe jo ta shkatërrojnë, e kanë terrorizuar. Së pari e terrorizoi atentati, tani shteti. Ju lutem ndihmojeni, mos e dëboni”, është shprehur ai./BW

Shtuar 18.06.2021 10:20