Flamur Noka zbulon prapaskenat: Basha i hoqi qëllimisht referendumet, do mbledhim Kuvendin!

Deputeti Flamur Noka ka deklaruar se pika e referendumeve është hequr qëllimisht nga statusi i Partisë Demokratike, nga vetë kryetari i saj, Lulzim Basha. I ftuar në Radarin Informativ në ABC, Noka tha se gjithsesi ata nuk do të ndalen dhe se do të mbledhin Kuvendin Kombëtar për të ndryshuar statutin, në mënyrë që të pranohen dhe referendumet.

“Ne kërkojmë referendum pa diskutim. Nuk dua ti hyj që referendumi ka qenë një pikë dhe është hequr nga statuti, nuk dua t’i hyj që është e paramenduar. Mekanizmat janë; e para ne kërkojmë referendum, por si do të arrihet? Do të mblidhet Kuvendi kombëtar do të bëjë ndryshimin në statut, për të sanksionuar referendumin. Dhe sovrani është ai që vendos. Kuvendin do ta thërrasë ¼ e anëtarësisë,”- tha Noka.

Ish-ministri i Brendshëm u shpreh se synimi i lëvozjes së ish-kryeministri Sali Berisha është që të respektohet vullneti i anëtarësisë, të dëgjohet zëri i demokratëve.

“Në mënyrë absolute, Sali Berisha kërkon një gjë: të dëgjohet zëri i çdo anëtari, të respektohet vullneti i anëtarësisë, si e vetmja formë për ta bërë partinë më të fortë. Në rast se zëri do të flasë pro vullnetit të kryetarit, Berisha ka shprehur se do ta respektojë. Në të kundërt, do të respektohet vullneti i anëtarësisë. Demokracia direkte është kjo, të respektosh vullnetin e anëtarëve, nuk mund të marrësh vendime si autokrat. Sot e kanë konfirmuar mbështetësit se nuk pranuan ta çojë në bazë, se anëtarësia e rrëzonte”, tha më tej Noka.

Pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PD-së, Berisha ka nisur një aksion, duke paralajmëruar një referendum me 1500 firma të Kuvendit Kombëtar. Po ashtu, ai e ka cilësuar Bashën si një “broken lider” që nuk e sjell dot Partinë Demokratike në pushtet. Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se PD-ja nuk e njeh referendumin.


Shtuar 17.09.2021 21:17