Nga Vitali Klitschko “Wall Street Journal”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Kur Rusia nisi pushtimin brutal të Ukrainën në shkurtin e vitit 2022, shumë njerëz parashikuan se vendi im do të pushtohej dhe se lufta do të përfundonte shpejt. Ndërsa jemi pranë përvjetorit të parë të këtij konflikti, është e qartë se ukrainasit janë shumë më të fortë se sa e imagjinonte Vladimir Putin.
Unë e shoh çdo ditë këtë forcë teksa eci nëpër rrugët e Kievit. Njerëzit po e vazhdojnë jetën e tyre me një vendosmëri të hekurt, edhe pse përballen me sulme të vazhdueshme. Në një temperaturë nën zero gradë dhe pa ngrohje, bashkëqytetarët e mi i kremtuan me shpresë festat e fundvitit.
Ata u bashkuan për të ndezur dritat e pemës në Sheshin e Sofjes duke kënduar, pavarësisht frikës nga bombardimet e vazhdueshme. Këtë vit Ukraina mund ta mposhtë Rusinë dhe t’i japë fund kësaj lufte të tmerrshme, gjë që do të ishte shumë pozitive jo vetëm për demokracinë dhe lirinë, por edhe për ekonominë amerikane.
Por që të fitojmë shpejt dhe bindshëm, ne kemi nevojë për më shumë ndihmë nga aleati ynë më i fortë. Ne kërkojmë mbështetjen e vazhdueshme të popullit amerikan, duke e vlerësuar bujarinë e tyre të deritanishme. Ne i jemi mirënjohës për afro 25 miliardë dollarë ndihmë në fushën e sigurisë që kemi marrë nga SHBA-ja që nga fillimi i pushtimit.
S’ka asnjë dyshim se ajo na ka ndihmuar të qëndrojmë të fortë. Por ne kemi nevojë për më shumë ndihmë për të frenuar agresorët, dhe për të garantuar lirinë për të gjithë ukrainasit. Ndërsa trupat tona kanë çliruar rajone të ndryshme dhe kanë ndalur përparimet e rusëve në zona të tjera, ne duhet ta çojmë në një nivel tjetër fushatën tonë ushtarake.
Nëse do të mundim të përdorim sisteme mbrojtëse cilësore, si ai Patriot, Putin do të detyrohet të heqë dorë nga ëndrra e tij për të pushtuar Ukrainën. Fitorja ndaj Rusisë kërkon që në të kemi sa më të shpejtë qasje tek armët e përparuara, që një vend me madhësinë dhe pasurinë tonë nuk i ka.
Përveç mbështetjes ushtarake, ukrainasit kanë nevojë për ndihmë që t’i mbijetojnë sulmeve brutale dhe të qëndrueshme nga Rusia. Kjo nevojë humanitare mund të shihet qartazi në rrugët e Kievit. Vetëm një ditë më parë, një bombë shpërtheu pranë banesës sime në mesin e natës.
Ne nuk mund të jetojmë nën një terror të vazhdueshëm. Dëmi nuk është vetëm fizik, por edhe emocional, dhe traumat do të zgjasin me vite. Me gjithçka që ndodh në SHBA, është logjike që amerikanët të pyesin veten se përse duhet të bëjnë më shumë për ne. Unë u them se dy janë arsyet. Arsyeja kryesore është se të ndihmosh mikun tënd gjatë një sulmi brutal është gjëja e duhur që duhet bërë. Por mbështetja e SHBA-së ndaj nesh nuk është vetëm një çështje morale. Investimi i Amerikës në çlirimin e Ukrainës, do t’i mbrojë vendet e tjera evropiane kundër agresionit rus. Kompromisi me Hitlerin nuk ishte një opsion në Luftën e Dytë Botërore, dhe nuk është as sot me Putinin. Në rast se Perëndimi e lejon Rusinë të pushtojë pjesë të Ukrainës, Putin do të inkurajohet të synojë të rivendosë nën kontroll shtetet që dikur ishin satelitë të Moskës, shumë prej të cilave janë sot anëtarë të NATO-s.
Arsyeja e dytë është se ndihma ndaj Ukrainës është në të mirë të ekonomisë amerikane, të udhëheqjes globale dhe biznesit. Sipas një studimi nga Rezerva Federale e SHBA-së, si rezultat
i pushtimit rritja e pritshme ekonomike globale ka rënë me më shumë se 50 për qind. Sulmi e përshpejtoi inflacionin, shkaktoi recesione dhe rriti pasigurinë ekonomike, sidomos për produkte. Nëse ne do të mundim t’i japim fund kësaj lufte – dhe ta bëjmë këtë shpejt – mund të nisim punën e vështirë për rindërtimin e Ukrainës dhe riparimin e dëmit të jashtëzakonshëm ekonomik.
Ukraina krenohet me një sektor të lulëzuar teknologjik, dhe ne presim me padurim të promovojmë rritjen e saj duke u fokusuar tek arsimi dhe partneritetet e vazhdueshme ekonomike me SHBA-në dhe vendet e tjera. Çlirimi i një pjesë të Ukrainës, i ka dhënë tashmë një shtysë masive sektorit të mbrojtjes së SHBA-së dhe mijëra bizneseve që mbështet ajo.
Pasi panë suksesin e fuqisë së zjarrit të prodhuar nga Amerika, aleatët e SHBA-së si Tajvani dhe Jordania po bëjnë shumë porosi. Ndërkohë Medtronic GMC, dhe kompani të tjera në sektorët e ndërtimit, materialeve të ndërtimit, pajisjeve të rënda, shërbimeve financiare, komunikimi etj, do të përfitonin nga rindërtimi i Ukrainës.
Po çfarë duhej të përfshijë tjetër mbështetja e SHBA-së ndaj nesh? Shtetet e Bashkuara kanë krijuar tashmë një version të shekullit XXI-të të programit të dikurshëm të huadhënies, që armatosi vendet që ishin jetike për interesat e SHBA-së gjatë Luftës së Dytë Botërore. Zgjerimi i këtij programi me mbështetjen e Kongresit, do të na jepte mundësinë që ta zgjidhim më shpejt këtë konflikt.
Falë sistemeve anti-raketore amerikane dhe perëndimore, ne do vazhdojmë të shkatërrojmë raketat dhe dronët rusë. Javën e kaluar, rrëzuam 37 nga 40 raketat e lëshuara mbi Kiev. Por aftësitë tona janë kryesisht mbrojtëse. Për të rimarrë territorin e pushtuar, kemi nevojë për armë edhe më të avancuara.
Kjo, e kombinuar me njohuritë tona për territorin tonë dhe vendosmërinë për liri, do të na çojë drejt fitores. Po ashtu, ne duhet të vazhdojmë të mbështesim njerëzit tanë. Që nga tetori i vitit të kaluar, Putin ka sulmuar termocentralet dhe rrjetin tonë elektrik, në një përpjekje mizore për të ngrirë ukrainasit deri sa të nënshtrohen.
Për këtë arsye, ne kemi nevojë për ndihmë me shërbimet bazë, si garantimin e ngrohjes gjatë natës dhe ndihmën e mjekëve për kryerjen e operacioneve. Pra na duhen më shumë gjeneratorë rezervë, autobuzë, pjesë zëvendësuese të rrjetit elektrik, qasje tek internet satelitorë, ruterë Ëi-Fi dhe ambulanca.
Ashtu siç Putin nuk arriti të kuptojë vendosmërinë e bashkatdhetarëve të mi, ai dyshoi edhe tek besnikëria e Amerikës ndaj miqve të saj. Ai besonte se sfidat ekonomike dhe ndarja politike në SHBA do t’i pengonte amerikanët të bashkoheshin në mbrojtje të lirisë dhe kundër së keqes.
Ai gaboi. Në fund, do të përdor një analogji me boksin, pasi kam qenë boksier. Kur Rusia luftoi pisët dhe e bllokoi Ukrainën në një cep të ringut, Amerika ndërhyri në favorin tonë si një arbitër i ndershëm. Çdo ditë, ukrainasit që pastrojnë rrënojat në qytetet e tyre të çliruara, dhe që luftojnë në vijën e frontit, janë thellësisht mirënjohës për këtë gjë.
Kur të nisë rindërtimi i vendit, ne nuk do të harrojmë se kush na ndihmoi për të fituar. Nëse Amerika do të mundet që ta shtojë më tej ndihmën e saj, teksa konflikti po i afrohet fundit, rindërtimi i Ukrainës do të ndodhë edhe më shpejt, dhe ekonomia botërore mund të kthehet tek një rritje e qëndrueshme. /albeu.com