Filipçe: Nuk përjashtohet vaksinimi i detyrueshëm (VIDEO)

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe nuk përjashton mundësinë që vaksinimi të bëhet i detyrushëm. Ai tha se disa vende tashmë po mendojnë për një gjë të tillë. Por sipas Filipçes, për Maqedoninë e Veriut është herët të mendohet për detyrimin e qytetarëve që të vaksinohen dhe fillimisht do tu jepet hapësirë masave të tjera.“Do të lëmë hapësirë, të shohim nëse do të ndihmojë komunikimi dhe apelet e mjekëve amë.

Mendoj se nuk përjashtohen masa shtesë, në formën e vaksinimit të detyrueshëm, sipas shembullit të vendeve të ndryshme. Disa vende tashmë po mendojnë për vaksinim të detyrueshëm. Te ne, tani për tani mbetet kështu siç është”.

Filipçe u bëri thirrje mjekëve amë të stimulojnë pacientët që sa më shumë të vaksinohen. Filipçe beson se shpërblimi me 30 denarë për pacientë është masë e mirë, nëse imunizimi arrin 70% të popullsisë.

“Mjekët amë duhet të jenë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është rritja e numrit të të vaksinuarve. Këtë duhet ta bëjnë përmes komunikimit intensiv me pacientët, për të dërguar një mesazh të rëndësishëm për vaksinimin. Mendoj se stimulimi i mjekëve amë është masë e mirë”.

Ndërsa, sa i përket kufizimeve të reja, karantinë e përgjithsme ose mbyllje e kufijve, Filipçe sqaron se nuk është e nevojshme një gjë e tillë, sepse tashmë janë imunizuar 50% e qytetarëve.


Shtuar 1.12.2021 16:35