Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Lisandër Hoxha, u shpreh se sulmi ndaj News24 dhe mbyllja e saj me forcë, është një akt i paprecedentë që shënon një tjetër hap drejt instalimit të diktaturës në Shqipëri.
Sipas tij, kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por pjesë e një plani të mirëorganizuar, për të shuar çdo zë kritik dhe për të kthyer hapësirën publike, mediatike dhe ekonomike në pronë private të qeverisë dhe klientelës së saj.
“Nuk është një ngjarje e re në Shqipëri. Është Agon Channel, është Ora News, tashmë edhe News24 dhe gjithë pjesa tjetër e grupit mediatik. Është një situatë kritike sa i përket lirisë së shprehjes dhe vazhdimësisë së asaj që u përcoll edhe nëpërmjet projektvendimit të Kodit të Ri Penal, në të cilin, nëse guxon të shprehësh mendime kundër zyrtarëve publikë, cilësohet sikur ti po bën komplot kundër rendit publik.
Është një situatë që ne e kemi përjetuar dhe nuk është e re e kemi përjetuar për 45 vite në Shqipëri dhe sigurisht po e rikthen Rama. Ai është një diktator që bën gjithçka kundër atyre që zbulojnë se ai e ka kthyer republikën në një pronë private, të cilën e vjedh çdo ditë me emisarët e tij në biznes. Në këtë mënyrë, ai kërkon të “vjedhë mikrofonin” nëpërmjet Ardi Veliut te News24, për të mos lejuar më denoncimin e aferave të mëdha korruptive të Ramës, Veliajt, Ballukut dhe gjithë PS-së, që e kanë vjedhur Shqipërinë.
Ky është edhe aksioni i lirimit të hapësirave publike është monopolizimi nga ana e qeverisë i hapësirave publike, duke ia dhënë oligarkëve dhe shokëve të qeverisë, ndërsa për të tjerët është një mënyrë falimentimi. Në këtë mënyrë krijohen kushte pabarazie në treg. Ky është plani i Ramës: që ata të ikin vetë.
Sot, vetëm SYRI TV po transmetonte live protestën e kolegëve të tyre gazetarë. Sot, asnjë media tjetër nuk guxoi të publikonte një vendim të asociacioneve të gazetarëve që të dilnin në mbrojtje të kolegëve të tyre, të cilëve një ditë të bukur, qeveria, në shkelje të plotë të akteve ligjore, pa njoftim, u shkon dhe u vendos drynin me polici dhe ushtri një mediaje në Shqipëri. Kush guxon të dalë kundër Ramës, do ta pësojë, ashtu siç e pësoi News24.
Ky është filli i instalimit të diktaturës në Shqipëri. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të ndërtuar një qasje tjetër kundër qeverisë”, u shpreh ai në Syri TV.