Felajt “kapin” Prokurorinë e Tiranës, Berisha: Drejtësia e re një monstër

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar një rekord të zi Prokurorinë e Tiranës, e cila ka në përbërje katër familjarë të deputetes së PS-së Ermonela Felaj në Prokurorinë e Tiranës.

Përmes një postimi në Facebook, Berisha shkruan se tani “Prokuroria e Tiranës është Prokuroria e familjes Felaj.”

Berisha: Prokuroria familjare. Një monstër e re e pseudoreformës së drejtësisë. Miq, pas përdorimit të vetingut për gjueti shtrigash të bazuar në kritere me origjinë shoqërore, prejardhje krahinore, madje edhe besimin fetar dhe krijimit të drejtësisë së organizatave të Partisë Socialiste, pas shumëfishimit të korrupsionit dhe gjobës që paguajnë në procesin gjyqësor, pas privimit de fakto të qytetarëve shqiptarë nga procesi i drejtë ligjor, drejtesia e re e bazuar në reformën e Soros-Rama solli dhe një monster të re, kurrë të parë apo të dëgjuar ndonjëherë më parë.  Kjo është prokuroria familjare.

Kështu prokuroria e kryeqytetit të Shqipërisë është tani prokuroria e familjes Felaj, e njohur prej vitesh për lidhjet e provuara të saj me malavitën. Kështu, kjo prokurori, në një rast unik në botë si në asnjë vend të lirë, por edhe në asnjë diktature tjetër, udhëhiqet tani nga katër anëtarë me lidhje të para të ndrikull Felaj. Një rekord i zi!

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP miratoi të martën më 27 qershor me 10 votat e anëtarëve të pranishëm projektaktet për renditjen e kandidatëve për tre pozicione vakante në Prokurorinë e Tiranës, ku në të tre rastet e para në listë u rendit prokurorja e Vlorës, Eranda Felaj.

Ajo është motra dhe familjarja e katërt e deputetes së Patisë Socialiste, Ermonela Felaj, e cila pritet të emërohet në Prokurorinë e Tiranës.

Përgjatë katër viteve të fundit, në Prokurorinë e Tiranës janë emëruar tashmë tre familjarë të deputetes Felaj. Në mars të vitit 2019, KLP vendosi të emërojë si prokuror në Tiranë përmes një procedure të diskutueshme bashkëshortin e deputetes, Bledar Valikajn, pa kaluar më parë procesin e vetingut.

Vetëm pak muaj më vonë, në maj 2019, Prokuroria e Përgjithshme përzgjodhi pas një procedure konkurruese vëllanë e deputetes, Armando Felaj si oficer të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës. Në mbledhjen plenare të datës 29 maj, u miratua projektakti për transaferimin e bashkëshortes së këtij të fundit, Alma Felaj, nga Prokuroria e Durrësit në atë të Tiranës.

Miratimi i renditjes së Felajt e para në listën e kandidatëve për të tre pozicionet vakante në Prokurorinë e Tiranës, u krye pas diskutimeve mes anëtarëve të KLP-së. Anëtari Sokol Stojani vërejti se në Prokurorinë e Tiranës tashmë janë emëruar vëllai, kunati dhe kunata e prokurores Eranda Felaj./Albeu.com/


Shtuar 28.06.2023 14:00