Falsifikonin teste Covidi, arrestohet farmacistja në Lezhë, në kërkim administratorja

Policia e Lezhës ka vënë në pranga një farmaciste, Kristjana Luka, dhe ka shpallur në kërkim administratoren e farmacisë,Aurora Ujka, pasi, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në periudha të ndryshme kohore, kanë pajisur shtetas të ndryshëm, me dokumentin shëndetësor përgjigje fiktive të falsifikuar të testit molekular RT PCR për SARS-Cov-2, pa iu nënshtruar më parë kryerjes së testit dhe marrjes së kampionit PCR nga kërkuesit.

Njoftimi i policisë:

Lezhë – Finalizohet operacioni policor i koduar “FAKE TEST”.

Goditen 2 raste të kryerjes së testit SARS-Cov-2 jashtë procedurës standarde dhe të lëshimit të dokumentit të rezultatit të testit fals dhe fiktiv.

Arrestohet një farmaciste, shpallet në kërkim administratorja e farmacisë, procedohet në gjendje të lirë një shtetas tjetër.

Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, pas një hetimi proaktiv disajavor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, është finalizuar me sukses operacioni i koduar “FAKE TEST”.

Si rezultat i operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasja K. L., 25 vjeçe, banuese në Shënkoll, me profesion farmaciste pranë një subjekti privat me objekt veprimtarie farmaci, në Lezhë, si dhe është shpallur në kërkim shtetasja A. U., 35 vjeçe, banuese në Lezhë, administratore e këtij subjekti privat farmaci.

Këto shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në periudha të ndryshme kohore, kanë pajisur shtetas të ndryshëm, me dokumentin shëndetësor përgjigje fiktive të falsifikuar të testit molekular RT PCR për SARS-Cov-2, pa iu nënshtruar më parë kryerjes së testit dhe marrjes së kampionit PCR nga kërkuesit.

Pajisja e tyre bëhej vetëm me dërgimin e dokumentit të identifikimit nga ana e kërkuesit dhe sipas kërkesave të tyre, testi me përgjigje pozitive paguhej 100 euro, ndërsa testi me përgjigje negative paguhej 50 euro. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet që me këto teste fiktive janë pajisur rreth 500 shtetas të ndryshëm.

Gjithashtu, është proceduar në gjëndje të lirë shtetasi A. D., 49 vjeç, banues në Lezhë, administrator i një subjekti privat biznes, i cili dyshohet se tek biznesi i tij kryente tampon/ testin e SARS-Cov-2, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në ligjin për testin SARS-Cov-2.

Gjatë kontrollit të ambientit, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 vula, 1 aparat telefonik iPhone, certifikata/teste të shtetasve të ndryshëm me rezultate pozitive e negative, si dhe fotokopje dokumentash identifikimi të shtetasve të pajisur me këto teste fiktive e të falsifikuara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat  penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”./albeu.com

 


Shtuar 17.02.2022 09:17