Falimentimi i Ujësjellësit të Durrësit, Meta: Dëshmi e gjallë e qeverisjes korruptive, SPAK të hetojë skandalin

Në lidhje me falimentimin e Ujësjellësit të Durrësit, ka reaguar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili shprehet se është një dëshmi e gjallë se qeverisjes korruptive.

Meta gjithashtu i kë bërë thirrje SPAK të hetojë skandalin, ndërsa thekson se Këshilli i ri i Bashkisë Durrës duhet të bëjë transparencë dhe të kërkojë urgjentisht llogari.

“Falimentimi i Ujësjellësit të Durrësit, pas “fitores” së 14 Majit, është dëshmia më e gjallë e qeverisjes korruptive dhe ndërmarrjeve elektorale të “Rilindjes”, si në nivel qendror edhe në nivel lokal.

Tashmë nuk kemi vetëm bashki të falimentuara, por edhe ndërmarrje publike të falimentuara.

“Rilindja” si në çdo sektor tjetër po falimenton edhe këtë sektor jetik për ekonominë dhe qytetarët shqiptarë.

Pra nuk kemi vetëm mega-skandalin e inceneratorëve, por edhe skandalet e ujësjellësave që kanë gllabëruar miliona Euro nga taksapaguesit shqiptarë dhe donatorët e huaj.

Rasti i UKD është flagrant duke pasur parasysh që është marrë kredi edhe nga Banka Botërore, në një kohë që ndërmarrja që ka qenë më e financuara deri tani është në falimentim. Në këtë gjendje janë edhe shumë ujësjellës të tjerë, që nëse nuk kanë falimentuar janë në prag falimenti.

Prandaj mega-skandali i falimentimit të UKD është fytyra e një qeverisjeje të kalbur dhe të korruptuar që po falimenton ekonominë dhe Shqipërinë.

Shqiptarët po grabiten për rrugë të “florinjta” që nuk po i shkelin, për mbeturinat dhe “inceneratorë” fantazëm që nuk ekzistojnë, për ujin e pijshëm që e paguajnë disa fish më shumë por që nuk pihet.

SPAK duhet urgjentisht të vendosë para ligjit të gjithë përgjegjësit e këtij skandali dhe dështimi spektakolar me pronën publike, ndërsa Këshilli i ri i Bashkisë Durrës duhet të bëjë transparencë dhe të kërkojë urgjentisht llogari”, thuhet në reagimin e Metës.

Falimentimi:

Keqadministrimi ka çuar në faliment Ndërmarrjen e Ujësjellësit Durrës (UKD), një nga më të mbështeturat me hua dhe grante nga donatorët.

Vendimi për likuidimin e shoqërisë u mor me 15 maj të këtij viti pasi ndërmarrja e qytetit bregdetar ishte zhytur në borxhe dhe nuk kishte me asete, thuhet në raportin që Asambleja e Aksionareve të Shoqërisë ka bërë për falimentin.

Të dhënat nga bilanci tregojnë se humbjet UKD-së u dyfishuan gjatë vitit të kaluar duke arritur në mbi 1 miliardë lekë afërsisht 10 milionë euro, nga 535 milionë lekë (5 mln euro) që ishin në vitin 2021, sipas të dhënave të raportuara në bilancin zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të biznesit.

Performanca e kompanisë është rënduar se tepërmi gjatë vitit të kaluar kur detyrimet totale arritën në 16 miliardë lekë më shumë se 150 milionë euro me rritje 11 për qind ndaj vitit 2021, ndërkohë që kapitali ishte negative prej 2.8 miliardë lekësh, duke treguar një gjendje tepër të rënduar financiare.

Raporti i Audituesve tregon si situata është më rëndë se sa të dhënat në bilanc për shkak se kompania nuk ka mbajtur provigjione.

Bashkia e Durrësit ishte aksionari kryesor dhe tashmë, përgjegjësia për furnizimin me ujë të qytetit të Durrësit do ti kalojë Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës Kanalizime Durrës, ku aksionere të saj janë Bashkia e Durrësit, Krujës, Kurbinit e Shijakut dhe Vorës.

Të gjitha detyrimet e ujësjellësit të Durrësit do ti kalojnë SHRUKD-së, por ndërkohë ndërmarrja e ujësjellësit të Durrësit ka rëndësi sistemime me efekte negative në ndërmarrjet e tjetra të shtetërore.

Ministria e Financave raportoi më herët se UKD i detyrohet OSSHE me 4,3 miliardë (40 mln euro) fatura të papaguara deri në maj 2023. Të dhënat nga bilanci tregojnë se detyrimet në formën e huamarrjes janë mbi 308 milionë lekë, ndërsa detyrimet të tjera të kompanisë janë rreth 7.9 miliardë lekë.