Evropa përgatitet të mirëpresë presidentin Biden në takimin e G-7ës

Drejtuesit e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G-7) takohen në Britani këtë fundjavë. Rimëkëmbja nga pandemia, ndryshimi i klimës dhe taksat do të jenë në krye të rendit të ditës. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, Presidenti amerikan Joe Biden pritet të marrë një pritje të ngrohtë nga aleatët evropianë.

Luftanijet britanike po patrullojnë vijën bregdetare të Cornwall-it në Britani, ndërsa gjashtë mijë e pesëqind oficerë policie janë dislokuar në përgatitje për të pritur udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Kanadasë.

Takimi i G-7 në Cornwall shënon udhëtimin e parë jashtë vendit për Joe Bidenin si president i Shteteve të Bashkuara.

Pas katër vitesh marrëdhënie të trazuara transatlantike nën ish-Presidentin Donald Trump, Bideni do të marrë një pritje të ngrohtë në Evropë, thotë analisti Thomas Kleine-Brockhoff.

Përpjekja për të rindërtuar besimin – besimin e humbur me aleatët është në qendër të axhendës. Dhe ky mesazh është i fuqishëm dhe i qartë”, thotë analisti.

Sipas zotit Kleine-Brockhoff, plagët nuk janë shëruar plotësisht.

“Ekziston një lloj dyshimi i vazhdueshëm se Joe Bideni mund të jetë president me një mandat, mes dy presidencave nacionaliste dhe një Amerike që ka ndryshuar tashmë përgjithmonë”, thotë analisti.

Sidoqoftë, analistët thonë se udhëheqësit e G-7ës do tregojnë një unitet të fortë megjithë sfidat e shumta.

Creon Butler ka qënë këshilltar i qeverisë britanike për G-7ën, dhe tani punon me organizatën Chatham House.

“Rimëkëmbja nga COVID-i në përgjithësi është pika kryesore dhe mund ta shohësh këtë në mënyrën se si Britania po e reklamon samitin”, thotë analisti.

Kryeministri Boris Johnson ka premtuar se G-7 do të ndihmojë për të vaksinuar të gjithë botën deri në fund të vitit 2022. Realizimi i këtij objektivi është jetik, thotë ish-kryeministri britanik Gordon Brown.

“Nuk është ekzagjerim të thuash se takimi i G-7ës të premten është një çështje që ka të bëjë me jetën apo vdekjen. Vendimi i tij do të përcaktojë se kush është i vaksinuar dhe i sigurt dhe kush mbetet i pavaksinuar dhe në rrezik të vdesë”, thotë zoti Gordon Brown.

Udhëheqësit e G-7ës do të përqendrohen gjithashtu në trajtimin e ndryshimeve klimatike. Tregtia dhe taksat gjithashtu janë në krye të axhendës. Ministrat e financave të G-7ës mbështetën javën e kaluar një plan për një normë minimale globale taksash prej 15 përqindësh.

“Kjo është me të vërtetë shumë domethënëse pasi është në fakt një marrëveshje për të patur taksim të barabartë kudo, jo vetëm në vendin ku ka bazën kompania, por gjithashtu edhe në zonat ku ajo mund të realizojë të ardhura të larta, po ku deri tani ka paguar shumë pak taksa.”

Në Cornwall do të diskutohet gjithashtu kërcënimi që iu vjen demokracive të G-7ës nga Kina dhe Rusia.

“Pyetja është nëse vendet perëndimore mund të gjejnë një qasje të përbashkët kundrejt Kinës dhe nëse Presidenti Biden mund të marrë nga aleatët e tij evropianë angazhimin që i nevojitet për qëllimet e tij të brendshme politike, për t’i bërë të vlefshme investimet që ai po bën në aleancat evropiane. Kjo për mua është pyetja themelore”, thotë Thomas Kleine-Brockhoff me Fondacionin gjerman Marshall.

Disa nga udhëheqësit e G-7 do të shkojnë direkt nga Britania në Bruksel për një samit të NATO-s të hënën e ardhshme. Presidenti Biden do të takohet të martën me udhëheqësit e Bashkimit Evropian. Analistët thonë se sekuenca e takimeve ka për qëllim të nënvizojë mbështetjen e aleatëve përpara takimit të Bidenit me homologun e tij rus Vladimir Putin në Gjenevë të mërkurën e ardhshme./VOA

Shtuar 10.06.2021 04:06