“Evropa ka nevojë të ribashkohet”, Macron: Shqipëria ka vullnetin për të çuar reformat para, ne do t’ju shoqërojmë!

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Pas një takimi “kokë më kokë” me Presidentin Begaj në ambientet e Presidencës, Macron u drejtua drejt Kryeministrisë ku zhvilloi një konferencë të përbashkët me kreun e qeverisë, Edi Rama.

Në fjalën e tij, Presidenti u shpreh i lumtur që ndodhet në Shqipëri.

Macron: Të jem në krahun tuaj, shënon një formë riangazhimi të Francës në vendin tuaj dhe në rajon. Ishte momenti për të bërë këtë vizitë zyrtare. Dua të shoh nga e ardhmja. Është historia kulturore dhe gjuhësore që na lidh. Shpresoj ta vazhdojmë këtë rrugë duke investuar më shumë në gjuhën frënge. Dëshiroj të hapim terrene të reja, sidomos aty ku nuk kemi qenë mjaftueshëm të pranueshëm.  Po hyjmë në një erë të re, erën e ribashkimit të kontinentit tonë.  Jeni një vend dhe një popull që e donte dhe dëshironte Evropën. Kjo është thelbësorja në këtë kohë të ribashkimit. E ardhmja juaj është plotësisht në Evropë. Ky ribashkim i Evropës është i mirë për ne. Evropa ka nevojë të ribashkohet. Nuk është një dhuratë që po i bëhet Shqipërisë procesi i zgjerimit, është mirë për ju, është mirë dhe për ne. Është një zgjidhje gjeopolitike dhe i vullnetit të përbashkët. Ju keni vullnetin për të çuar përpara reformat. Këtë rrugë ju do ta kryeni, detyra jonë është t’ju shoqërojmë me respekt.


Shtuar 17.10.2023 11:17