Është gjallë apo ka vdekur Ervis Martinaj? Altin Dumani jep përgjigjen surprizë

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka zhvilluar një takim informal me gazetarët e kronikës së zezë gjatë ditës së sotme.

Në takim Dumani nuk i ka shpëtuar interesit të gazetarëve për disa nga çështjet më të nxehta në Shqipëri, ku padiskutim një interes të veçantë kishte dhe fati i Ervis Martinajt.

I pyetur nga gazetarët se çfarë po ndodh me Martinajn, i zhdukur që prej 9 guhtit të vitit të kaluar, Dumani tha se për sa kohë grupi hetimor vijon hetimet ai konsiderohet i gjallë.

Nuk kemi prova se ai ka vdekur. Për aq kohë sa e konsiderojmë të gjallë, po hetohet”, tha Dumani.

Ervis Martinaj, është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin. Ervis Martinaj është përmendur edhe në Gjyqin ndaj Emiliano Shullazit.

Martinaj ka qenë pronar i disa pikave të basteve dhe kazinove dhe është përmendur në 2016 për ngjarje të rënda kriminale.

Emri i tij u lakua edhe për vrasjen e bankierit Artan Santo. Gjatë kontrollit në magazinën e tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy skafandra të ngjashme me ato që përdorën vrasësit e bankierit, por ai nuk u implikua në këtë rast, sepse nuk kishte prova.

Po ashtu Martinaj ishte i përfshirë në vrasjen e ndodhur në Bllok, ndërsa pas kësaj ngjarje ai u arrestua por më pas u la i lirë pasi pagoi një shumë të madhe parash. Emri i Ervis Martinajt, doli në skenë edhe pas dëshmisë së vrasësit me pagesë Nuredin Dumani. Ai rrëfeu se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro, për eliminim e Endrit Dokles, numrit 2 të Bandës së Durrësit.


Shtuar 28.09.2023 18:00