“Është e frikshme, dëgjohen sirena e bombardime”! Polakja rrëfen për “VOA” vështirësitë e saj pas rikthimit në Ukrainë

Sipas vlerësimeve të OKB-së, rreth 2.5 milionë ukrainas kanë kaluar kufirin polak dhe janë rikthyer në Ukrainë. Iryna Martynenko ishte në mesin e atyre që u kthyen në qytetin e saj të lindjes, Sumi, në verilindje të Ukrainës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Olena Adamenko bisedoi me zonjën Martynenko pas kthimit të saj në Ukrainë.

Banorja e qytetit të Sumit, Iryna Martynenko, muajin e kaluar mësoi se si të përdorte pushkën dhe të ofronte ndihmën e parë.

Para luftës, ajo punonte në sektorin e turizmit, duke ofruar me qira kajakë, varka me lopata dhe duke ndihmuar klientët e saj të planifikonin pushimet në Ukrainë.

Në Sumi, ky lloj biznesi është sezonal, kështu që në dhjetor të vitit 2021, zonja Martynenko shkoi në Poloni për të punuar. Në Poloni, ajo mori lajmin mbi fillimin e sulmit të Rusisë ndaj vendit të saj.

“Askush nuk mund të punonte. Të gjithë shikonin telefonat e tyre dhe qanin”, thotë ajo.

Në ditën e parë të luftës, zonja Martynenko donte të kthehej në Sumi, por miqtë e saj i thanë asaj se qyteti ishte bllokuar dhe kthimi ishte i pamundur.

“Fillova të mendoja se si mund të ndihmoja qytetin tim, Sumin”, thotë ajo.

Së bashku me banorët e tjerë të Sumit në Varshavë, zonja Martynenko filloi të mblidhte ilaçe, artikuj ushqimorë dhe rroba për njerëzit në vendlindjen e saj. Në prill, ajo vendosi të kthehej atje.

“Vendosa të kthehesha në shtëpi, sepse të gjithë të afërmit e mi, prindërit, vëllai im qëndruan në Ukrainë. Edhe qeni im, Tusya, po më priste me durim”, thotë ajo.

Ajo u nis për në shtëpi, me një tatuazh të ri me mbishkrimin: “Mirëmbrëma, ne jemi nga Ukraina”, një frazë popullore që guvernatori i rajonit të Mikolaivit, Vitaliy Kim e përdor në hapje të video-deklaratave të tij dhe që simbolizon guximin dhe unitetin e ukrainasve.

“Kur isha në Varshavë, nuk pata mundësinë të blija një bluzë me këtë mbishkrim, kështu që bëra një tatuazh. Tani kam një bluzë të tillë që nuk mund ta heq kurrë”, thotë ajo me buzëqeshje.

“Është shumë ndryshe në krahasim me periudhën e para luftës. Në qytet tani dëgjohen sirenat dhe zhurma e bombardimeve. Është e frikshme për të gjithë. Por kjo është shtëpia ime, jeta ime.”

Iryna Martynenko planifikon të fillojë përsëri të punojë në sektorin e turizmit kur të jetë e mundur.

Ajo gjithashtu ëndërron të hapë një kopsht për fëmijë dhe të merret me krijimin e hapësirave të gjelbra në mënyrë që shtëpia e saj të duket po aq e bukur dhe e gjelbër sa dikur./VOA