“Është budalla ai që mendon që mund të shkojmë në Botëror”, Hafizi flet për Kombëtaren

Ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi u shpreh i shqetësuar se në radhët e ekipit kombëtar ka futbollistë të cilët nuk po luajnë rregullisht me klubet e tyre, por gjejnë hapësira në radhët e kuqezinjve.

Sipas tij, duhet t’i jepet prioritet atyre që luajmë më shumë me klubet, siç shpjegoi për “SuperSport” para sfidës së sotme të Shqipërisë kundër Andorrës. Ndër të tjera Hafizi u shpreh se është idiot apo budalla ai që mendon se mund të shkojmë në Botëror.

“Ka lojtarë që luajnë shumë në klubet e tyre dhe nuk luajnë në kombëtare. Ka të tjerë që luajnë pak e aspak në klube dhe janë titullarë. Këto janë diskutime që duhen bërë. Të jesh në lojë nuk të humb reflekset, të ambientimit e fushës, shuam probleme.

Te ne ndodhin të kundërtat, që teknikisht nuk arrij t’i shpjegoj. Janë edhe gjëra të tjera, që trajneri kërkon më të mirët. Por më të mirët janë ata që luajnë.

Po nuk fituam ndeshjen, i bie kemi probleme të mëdhaja në mentalitetin e drejtuesve. Risi nuk ka. Secila skuadër tjetër kombëtare kishte risi, dje apo edhe sot.

Është idiot apo budalla ai që mendon që mund të shkojmë në Botëror. Pse do të përsëritet prapë skema si shkuam në Europian? Do të dënohet dikush që të marrim pikë? Sot duhet të rrezikonin, me futbollistë të rinj. Nuk po them 7-8”, u shpreh Hafizi.


Shtuar 25.03.2021 20:31