Erion Veliaj i tradhëtuar/ Çfarë tregon Facebook-u i Lalit?

Pasi Gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi ta lërë në burg Erion Veliajn, duket sikur ia kanë hedhur çelësat në det. Ndryshe nga ç’priste në katër ditët e sulmit final që u zbardhën përmes përgjimeve të SPAK, ai nuk ia doli dot të lirohej nga burgu as në shkallë të dytë.

Mediat e Ramës që shkruanin përditë pro tij dhe kundër Prokurorëve, nuk veprojnë më me dendurinë e mëparshme për të prodhuar lajme të komanduara nga qelitë e Durrësit.

Edi Rama, në një provë force, i zhduku njerëzit e tij nga drejtimi i Bashkisë për të instaluar aty besnikët e vet, duke e marrë përfundimisht në duar kontrollin e institucionit.

Ish-deputetët pro Lalit në parlamentin e shkuar, duket se nuk kanë më gjasa të jenë fitues në listën e PS-së në Tiranë.

Dhe e fundit, në një dalje publike, as ish-miku i tij më i afërt dhe bashkëthemeluesi i Mjaft, Arbër Mazniku, nuk guxoi të thotë asnjë fjalë kundër asaj që Veliaj e ka konsideruar si një burgosje të padrejtë nga SPAK.

Me një fjalë, për ish-kryebashkiakun e kudogjendur të Tiranës, duket sikur ditët e lavdisë kanë përfunduar.

E vetmja armë që ka për të mbajtur me pahir atë që ka mbetur nga fama e tij e dikurshme, është faqja e vet e “Facebook”, e cila menaxhohet nga i vëllai, Arbëri dhe nga disa besnikë të fundit që i kanë ngelur në Bashki. Përmes saj lexohet dëshpërimi për të tashmen dhe mundimi për të mbajtur gjallë “të shkuarën e ndritur”.

Lapsi.al, ka shqyrtuar një për një, postimet e bëra gjatë dyzet ditëve të fundit që kur u mor vendimi se do të mbetej në burg.

Menjëherë pas marrjes së vendimit të Gjykatës në faqen e tij, është bërë një postim i shoqëruar me foto se si festohej Dita e Derës në Tiranë, atëherë kur kryebashkiaku ishte i lirë.

Pak ditë më pas, ka ilustrime të këndeve të lojrave që janë ngritur në Tiranë gjatë dekadës së sundimit të Veliajt. Kur kombëtarja e futbollit nisi eleminatoret për botërorin, me ndeshjen në Londër, aty u postuan pamje të festës së Veliajt me tifozët në sheshin Skënderbej për Evropianin.

Më pas, gjen postime të gjitha të lidhura me foto dhe ngjarje të së shkuarës, që ilustrojnë ngritje çerdhesh e kopshesh, ristrukturim të gjimnazit Sami Frashëri, rivitalizim bibliotekash lagjesh dhe për risinë e korsive të biçikletave.

Një aspekt tjetër është edhe përpjekja për t`u shfaqur ende si kryebashkiak ndonëse në izolim. Kështu çdo ngjarje apo ditë përkujtimore, nga vdekja e Papa Françeskut, dita e bektashijve apo rizgjedhja e pasardhësit të Janullatosit është shfrytëzuar për të ripublikuar video dhe foto të vjetra të Veliajt me këta personalitete fetare.

Në fund të postimeve, si ato për mbjelljen e pemës së 1 miliontë, një manipulim nga i cili ish- kryebashkiaku nuk heq dorë as aty ku ndodhet, gjenden togfjalësha për “punën e madhe që është bërë në Tiranë”, “ndryshimin e faqes së kryeqytetit”, “transformimin” e tij, “vizionit për të ardhmen”, “pasionin” dhe “punën e palodhur”.

Vetëm pasi ke skanuar këtë strategji komunikimi e kupton se i harruar në burg, Veliaj ka dy objektiva.

Një të shfaqet ende si kryebashkiak në detyrë, tani kur është i ndërgjegjshëm se Rama e ka zhveshur nga çdo fuqi reale brenda institucionit që drejtoi për një dekadë.

Dhe e dyta që pas njollës së madhe që ka marrë, me daljen e vilave të fshehura, përfituesve të tenderave të bashkisë të shndërruar në financues të shoqatave të së shoqes, pas mbi 800 mijë eurove të shpenzuar vetëm për bizhu, fustane dhe të brendshëme nga Ajola Xoxa, ai do të japë mesazhin se në Tiranë jo vetëm është vjedhur, por janë bërë edhe punë.

Në këtë kuptim, faqja e “Facebook”  e Veliajt duhet lexuar si tentativë e dikujt që, pasi e ka kuptuar se e kanë vrarë si politikan, po reket të shpëtojë atë që mund të shpëtohet nga nderi njerëzor./Lapsi.al


Shtuar 23.04.2025 14:25