Era e fortë i çoi në mes të detit, shpëtohen turistët me pedalone në Shëngjin e Velipojë

Policia Kufitare ka shpëtuar turistët në Shëngjin e Velipojë, të cilët ndërsa po shëtisnin me pedalon në det, era e fortë i ka spostuar milje larg bregdetit.

Njoftimi i policisë:

Policia Kufitare iu shkon në ndihmë në 2 raste, 3 shtetasve që rrezikuan të mbyteshin në det, në Shëngjin dhe në Velipojë.

-Shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin iu shkojnë në ndihmë 2 shtetasve që rrezikuan të mbyteshin pasi mjetet e tyre lundruese (pedalone) ishin larguar shumë nga bregu, për shkak të erës së fortë.

Pas marrjes së njoftimit se 2 shtetas që po lundronin me pedalone, në plazhin e Shëngjinit, ishin në rrezik sepse për shkak të erës së fortë kishin humbur kontrollin mbi mjetet lundruese dhe ishin larguar shumë nga bregu, shërbimet e Policisë Kufitare kanë nisur menjëherë kërkimet për gjetjen e tyre.

Pas kërkimeve me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, janë konstatuar rreth 3 milje larg bregut, 2 mjetet lundruese pedalone dhe 2 drejtuesit e tyre.

Shërbimet e Policisë Kufitare i kanë nxjerrë në breg këta 2 shtetas, bashkë me mjetet e tyre lundruese. 2 shtetasit falënderuan punonjësit e Policisë që i shkuan në ndihmë.

-Shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër i kanë shkuar në ndihmë një shtetasi që ishte në rrezik mbytjeje për shkak të dallgëve të larta, në plazhin e Velipojës. Pas ndërhyrjes së shpejtë, shërbimet e Policisë e kanë nxjerrë në breg këtë shtetas dhe i kanë dhënë ndihmën e parë. Ai ka falënderuar punonjësit e Policisë, për ndërhyrjen e shpejtë dhe ndihmën që i ofruan.


Shtuar 6.09.2023 11:55