Mesditën e sotme, një ngjarje e rëndë është regjistruar në Fier, ku efektivi i Shqiponjave Novruz Cenalia, është ekzekutuar me armë zjarri, teksa ai shkonte për të marrë shërbimin. Policia ka zbuluar identitetin e autorit të vrasjes së efektivit të Shqiponjave në Fier. Bëhet fjalë për shtetasin Asllan Mernica, i njohur edhe si Azgan Mernica.
Autori është larguar nga vendi i ngjarjes, me një automjet ngjyrë blu.
Mësohet se i ati i viktimës punonte në polici, në sallën operative.
Në vendngjarje kanë zbarkuar grupi hetimor, Autoriteti i Mbikqyrjes Policore dhe forcat RENEA.
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.