Ndër tre të arrestuarit e operacionit “Restart” është edhe një vajze 28 vjeçe, pasi u kapën me 58 kg kanabis. Mësohet se bëhet fjalë për Erisa Feron, e cila së bashku me Likë Bashën dhe një shtetas tjetër kanë tentuar ta trafikojnë drejt Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë, Fero rezulton të jetë punonjëse te Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit si specialist IT.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet faza e trembëdhjetë e operacionit policor të koduar “Restart”, startuar 1 vit më parë.
Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, në drejtim të shtetit maqedonas.
Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Sekuestrohen 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Në vijim të operacionit antidrogë të koduar “Restart”, nisur më datë 07.11.2021, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë Pogradec, finalizuan me sukses fazën e trembëdhjetë të tij.
Si rezultat i saj, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, i shtetasve:
– E. F., 28 vjeçe, banuese në Tiranë; M. K., 17 vjeç, banues në Krujë; L. B., 32 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë.
Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec.
Shërbimet e Policisë në bazë të inteligjencës informative se në drejtim të Maqedonisë, nëpërmjet zonës së fshatit Lin, Pogradec, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, kanë organizuar punën dhe në Qafë Thanë kanë konstatuar automjetin tip “Volkswagen” pranë të cilit ndodhej shtetasi L. B. Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasja E. F; dhe shtetasit M. K. e L. B., kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës.
Po nga veprimet e para hetimore rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim F. S. dhe G. S.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme./albeu.com