EMRAT/ Zgjidhen tre anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë! Ja sa vota mori secili

Asambleja e Përgjithshme e Prokurorëve zgjodhi sot 3 anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Mësohet se anëtari i parë i zgjedhur, është Moisi Duda, i cili mori 122 vota ndaj rivales, Aferdita Ndoi me 106 vota. Sakaq, raportohet se 6 vota ishin të pavlefshme.

Dy kandidatet e tjerë të zgjedhur janë Olger Eminaj dhe Vatë Staka. Eminaj  ka marrë 103 vota,  ndërsa Stakai  ka arritur të marrë 98 vota.

Kush është Moisi Duda

Moisi Duda është diplomuar si Jurist, pranë Universitetit të Tiranës, Fakultetit të Drejtësisë.

Karriera e tij si prokuror ka nisur në muajin Gusht të vitit 1990, si hetues prane Hetuesisë së rrethit Lushnje, më pas si prokuror në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Kuçovë, (1994-1998); Prokuror në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Berat, (1998); Prokuror në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Gramsh, (1989-1999); Prokuror në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Durrës, (2000) si dhe Prokuror pranë Prokurorisë së Apelit Durrës (2000-2021).

Zoti Duda ka dhënë gjithashtu edhe leksione mbi lëndë si; Drejta Publike, e Drejta Kushtetuese, Histori e Institucioneve, Njohuri Ekonomike,Gjuhë e Huaj (Anglisht), E Drejta Civile, E Drejta Penale, Kodi i Familjes, Kriminalogji, e Drejta Tregtare etj si dhe ka marrë trajnime të ndryshme mbi temë “Luftën kundër krimit të organizuar”, zhvilluar në Itali dhe kurse të ndryshme të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës në Tiranë.

Kush është Olger Eminaj

Olger Eminaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe punon prej më shumë se një dekade si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Kush është Vatë Staka

Vatë Staka e ka nisur karrierën si prokuror ushtarak në vitin 1999 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe në fillim të viteve 2000 ai është transferuar në sektorin civil të organit të akuzës.  Ai iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik 2018 dhe e kaloi me sukses vetingun.

Kandidatët Për shkallët e para

-Edina Kurti, Durrës
-Edlira Bako, Elbasan
-Elsa Miha, Tiranë
-Olger Minaj Korçë
-Vatë Staka, Shkodër./Albeu.com


Shtuar 13.10.2023 16:00