Një ngjarje nëpër filma ka ndodhur afër mesnatës së djeshme në qytetin e Durrësit, ku një mjet që lëvizte në sens të kundërt, nuk i ështëb bindur urdhrit të policisë dhe ka marrë para dy efektivë.
Një prej efektivëve është dërguar menjëherë në spital ku po merr ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i mjetit Hysen Pici, është kapur pas disa minutash ndjekje dhe është vënë në pranga.
Gjatë kontrolli në makinën e Picit është gjetur edhe një armë zjarri.
Fillimisht u tha se kishte pasur dhe të shtëna me armë, por në njoftimin zyrtar nuk referohet një e dhënë e tillë.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Informacion paraprak
Më datë 09.06.2022, rreth orës 22.40, në lagjen nr 1, Durrës, një automjet me drejtues shtetasin H.P, lëviste në sens të kundërt.
Forcat operacionale të DVP Durrës që ishin me shërbim në këtë zonë i kanë bëre shenjë për të ndaluar por drejtuesi i automjetit ka vijuar lëvizjen me shpejtësi duke përplasur punonjësit e policisë.
Si pasojë njëri prej punonjësve të policisë, shtetasi G.M, është dëmtuar dhe ndodhet në spital për ndihmë mjeksore, jashtë rrezikut për jetën.
Forcat operacionale të DVP Durrës janë vënë në ndjekje ku kanë bërë të mundur kapjen e personit që ndodhej në mjet, konkretisht shtetasin H.P, i cili kishte me vete armë zjarri pistoletë.
Grupi hetimor në bashkëpunim me AMP, nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.