EMRI/ Kush është biznesmeni që ra “pre” e mashtruesit Florian Gjergji, do t’i zhvaste 35 mijë euro

Geront Çela, pronari i “Brunes”, ishte “preja” e radhës e Florian Gjergjit i shpallur në kërkim për mashtrim.

I cilësuar si organizatori i skemave të mashtrimit, Gjergji 40 vjeç nuk është arrestuar ende nga policia.

Sakaq, në pranga ditën e sotme kanë rënë tre persona: Afrim Radici, 34 vjeç, banues në Librazhd, Gezim Çelanji, 41 vjeç, banues në Skrapar, dhe Qazim Vata, 22 vjeç, banues në Kukës.

Policia informoi se tre të arrestuarit tentuan të mashtronin Çelën për t’i marrë shumën prej 35 mijë eurosh, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve me emra të ndryshëm.

Kush është Florian Gjergji

Ai është një nga personat më të kërkuar për skemat e mashtrimit të biznesmenëve të cilëve u ka marrë shuma të mëdha monetare duke u prezantuar si një zyrtar i lartë. Episodi i parë ishte ai i një biznesmeni në Kamzë të cilit i kërkoi 13 mijë euro.

Në atë kohë, në operacionin “Tentativa” u arrestuan 3 persona të tjerë, të cilët i kishte pajtuar për të kryer mashtrimin, ndërsa vetë Florian Gjergji nuk u gjet. Nga arratia emri i tij doli në skenë për po të njëjtën vepër penale. Në 13 shkurt ishte “koka” e mashtrimit të një tjetër biznesmeni, pronar i një kazinoje në Tiranë, të cilit sërish i kërkuan para duke u kamufluar si ish-kreu i Kadastrës, Artan Lame, shkruan Albeu.com.

Sërish Gjergji nuk u lokalizua dhe u arrestuan të tjerë që përdorte për të tërhequr paratë. Së fundmi 39-vjeçari tentoi të mashtronte biznesmenin Ram Geci, pasi i shkruajti në aplikacionin “Signal” duke i kërkuar 100 mijë euro sikur të ishte Erion Veliaj, por sërish nuk ra vetë në grackë.

Këto janë 3 raste të provuara ku ai është i përfshirë, por dyshimet janë edhe për një rast tjetër të mashtrimit të një biznesmeni ndërtimi, edhe pse hetuesit nuk kanë prova për ta akuzuar. Florian Gjergji dyshohet se të gjithë aktivitetin kriminal e kryen nga Gjermania, vend ku në një prej rasteve të tentativës për të mashtruar u ka thënë personave që pajtonte, do t’i dërgonin paratë pasi t’i merrnin tek biznesmeni.

Megjithatë, përmes VPN-së ai arrin të kamuflohet dhe biznesmenëve u shkruan me numër me prefiks anglez duke maskuar adresën e vërtetë nga e cila vepron. 39-vjeçari, përdor persona të ndryshëm kundrejt pagesës për të marrë paratë në rastet kur biznesmenët bien në grackë.

Skema që përdorte Florian Gjergji për të mashtruar biznesmenët:

Fillimisht 39-vjeçari i dërgon “presë” një mesazh. Tek biznesmenë të ndryshëm ai përdor taktika të ndryshme komunikimi. Në rastin e tentativës për të mashtruar pronarin e “Everest”, Florian Gjergji, përmes një aplikacioni komunikimi me numër me prefiks të Britanisë së Madhe, u prezantua si zyrtar i tatimeve. Kur tentoi të mashtronte pronarin e një kazinoje u prezantua në emër të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame, ndërsa në rastin e fundit për biznesmenin Ramë Geci u prezantua si kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Siç duket, Florian Gjergji, ka informacione të detajuar të marrëdhënieve të biznesmenëve edhe me politikanë, çfarë shton dyshimet e hetuesve se pjesë e grupit janë edhe disa persona të tjerë informatorë. Për komunikimin me sipërmarrësit, përdoren aplikacione që aksesohen përmes interntit, si telegram apo signal, ku për hapjen e tyre përdoren platforma VPN që maskojnë vendndodhjen e mashtruesit.

Edhe pse është ai dërguesi i mesazheve dhe ideatori i tyre, për të realizuar misionin Florian Gjergji nuk vepron vetë në terren. Ai lidhet me persona të tjerë, të cilët i njeh dhe u kërkon të shkojnë për të marrë paratë duke ua paraqitur këtë kërkesë si nder apo veprim miqësor.

Në rastin ku tentoi të mashtrojë Ram Gecin, pasi Florian Gjergji ishte prezantuar si Erion Veliaj dhe se kishte nevojë për 100 mijë euro, kishte pajtuar Bedri e Albert Vodhën (babë e bir), të shkonin të merrnin paratë që t’ia dërgonin në Gjermani. Sipërmarrësi Geci e kuptoi shpejt skemën e mashtruesve dhe njoftoi policinë. Geci ia kaloi komunikimin agjentëve të policisë të cilët kërkuan uljen e shumës në 70 mijë euro dhe lanë takim në qendër të Tiranës, aty ku u prangosën babë e bir. Edhe pse tashmë janë arrestuar disa bashkëpunëtorë të Florian Gjergjit, personi i konsideruar si truri i grupit nuk është kapur./Albeu.com/

 


Shtuar 4.08.2023 12:03