EMRI/ I vuri flakën zyrës së noterit Aleko Anagnostit në Sarandë, arrestohet autori

Ditën e djeshme zyrës së noterit Aleko Anagnosti, i cili ndodhet në burg, i vu flaka. Sot policia ka zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen si dhe ka vënë në pranga autorin Marjo Sinani. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar veshmbathje dhe sasi benzine që dyshohet se janë përdorur nga 41-vjeçari, gjatë kësaj ngjarjeje.

Marjo Sinani
Marjo Sinani

“Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 06.06.2022, në lagjen nr.1, Sarandë, ku është djegur zyra noteriale e shtetasit A. A.

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Flames”.

Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë.

Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i zjarrvënies në zyrën noteriale. 41-vjeçari, me precedent të mëparshëm kriminal për shkatërrim të pronës me eksploziv dhe për zjarrvënie.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve të tyre para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Flames”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi:

– M. S., 41 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, i dënuar me parë për shkatërrim të pronës me eksploziv dhe për zjarrvënie.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi M. S., më datë 06.06.2022, ka vënë zjarr në zyrën noteriale të shtetasit A. A., në qytetin e Sarandës. Për pasojë janë djegur një pjesë e dokumentacionit (arkivës) që mbahej nga shtetasi A. A., në ambientet e zyrës.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar veshëmbathje dhe sasi benzine që dyshohet se janë përdorur nga 41-vjeçari, gjatë kësaj ngjarjeje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme” thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se Aagnosti u arrestua më 1 qershor me urdhër të Prokurorisë së Sarandës dhe u la në burg me vendim gjykate për 45 ditë.

Ai u arrestua bashkë me disa zyrtarë të tjerë në kuadër të operacionit për tjetërsimin e pronave mes tyre një lulishte prej 10 mijë m2 në zonën e Kanalit të Çukës.

Sipërfaqja e tokës shtetërore në bregdetin e Sarandës përmes një skeme falsifikimi “gatuar” në zyrat e shtetit iu dha dy biznesmenëve të cilët e shndërruan në truall për ndërtimin e një hoteli. Prokuroria e Sarandës përgjatë dy viteve hetime arriti të zbulojë se në këtë skemë të tjetërsimit të pronës publike janë përfshirë 10 persona, si zyrtarë, biznesmenë dhe qytetarë.

Në krye të listës ishte ish-drejtori i Kadastrës së Sarandës, Ardian Kola, i cili ka mbajtur detyrën në vitet 2019-2020. Urdhri i arrestit ndaj tij u lëshua nga prokuroria. Po kështu në kërkim janë shpallur dy vëllezër, pronarë të një hoteli në Sarandë dhe që do të ndërtonin një të dytë në tokën shtetërore që përfituan përmes dokumenteve false. Vëllezërit Behar dhe Bedri Muçobega akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Sipërfaqja tokësore e tjetërsuar ka qenë tokë shtetërore dhe para tjetërsimit shërbente si hapësirë e gjelbër, (Lulishte), për qytetin e Sarandës. Por përmes falsifikimit të dokumenteve, miratimit të lejeve të ndërtimit nga bashkia Sarandë dhe hipotekimit më pas në zyrës e ASHK-së Sarandë, kjo tokë prej 10 mijë metra katror, është tjetërsuar te persona të tretë./albeu.com


Shtuar 7.06.2022 11:15