Flamur Goga dhe Thoma Karanxha janë arrestuar ditën e sotme nga policia.
Bëhet me dije se Goga u arrestua pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, duke drejtuar automjetin tip fugon, brenda të cilit u gjetën dhe u sekuestruan mallra të ndryshme ushqimore dhe industriale, medikamente mjekësore dhe një sasi nafte, pa dokumentacionin përkatës.
Gjithashtu u arrestua edhe 39-vjeçari me detyrë doganier në këtë pikë doganore, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar 50-vjeçarin për të kaluar mallrat, pa kryer veprimet doganore.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, mallrat e kontrabanduara, 3 350 euro dhe 3 aparate celulare.
Njoftimi:
U kap duke transportuar mallra të ndryshme të kontrabanduara, vihet në pranga drejtuesi i furgonit. Vihet në pranga edhe një doganier i Pikës Doganore Kakavije, pasi lejoi kalimin e mallrave, në mënyrë të paligjshme. Sekuestrohen mallra të ndryshme ushqimore dhe industriale, medikamente mjekësore dhe një sasi nafte. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Artikujt”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: F. G., 50 vjeç, banues në Fier dhe Th. K., 39 vjeç, banues në Kakavije, me detyrë doganier në Pikën Doganore Kakavije. Shtetasi F. G. u arrestua pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, duke drejtuar automjetin tip furgon, brenda të cilit u gjetën dhe u sekuestruan mallra të ndryshme ushqimore dhe industriale, medikamente mjekësore dhe një sasi nafte, pa dokumentacionin përkatës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi F. G. i kishte kaluar këto mallra nëpërmjet Pikës Doganore Kakavije, pa kryer veprimet përkatëse. Në vijim të veprimeve u arrestua edhe shtetasi Th. K., me detyrë doganier në këtë pikë doganore, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar shtetasin F. G., për të kaluar mallrat, pa kryer veprimet doganore.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, mallrat e kontrabanduara, 3 350 euro dhe 3 aparate celulare. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilët akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Shpërdorim i detyrës”.