Një grup prej 8 personash që shpërndante drogë në lokalet e natës në Tiranë është goditur nga policia. Në pranga ra edhe drejtuesi Herald Rexhepaj.
Janë zbuluar dhe kodet përmes së cilave komunikonin shpërndarësit e drogës.
“Më sill 3 pica” ose “Shko merr fantat”, ishin kodet që ata përdornin mes njëri-tjetrit kur u shisnin kanabis ose kokainë të rinjve që frekuentonin lokalet e natës në Tiranë.
Njoftimi:
Operacioni i zhvilluar me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë lëshuar 9 urdhra ndalimi, nga të cilët janë ekzekutuar 8 dhe 1 është shpallur në kërkim.
Gjatë zhvillimit të këtij operacioni gjashtëmujor, janë sekuestruar 650 doza cannabis sativa, 150 doza lënde narkotike kokainë, 1 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, qindra qese farmaceutike që shërbejnë për paketimin e lëndëve narkotike, dy peshore elektronike, dhe 5 aparate celulare.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore gjashtëmujore me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kodra e Diellit 3”.
Në kuadër të operacionit “Kodra e Diellit 3” u ndaluan Herald Rexhepaj 35 vjeç, Viola Bendaj 31 vjeçe, Arolf Harizi 19 vjeç, Arlind Aga 20 vjeç, Xhersildo Arifllari 21 vjeç, Dashamir Shehu 46 vjeç, Devis Saliaj 19 vjeç, Indrit Gjoshi 22 vjeç.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi K. R., 29 vjeç, banues në Tiranë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuara narkotike të llojit kokainë dhe kanabis, në sasi të mëdha, dhe më pas i shitnin ato në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në afërsi të lokaleve të natës dhe të vendeve që frekuentohen nga të rinjtë.
Në cilësinë e provës materiale, gjatë zhvillimit të gjithë operacionit janë sekuestruar 650 doza cannabis sativa, 150 doza lënde narkotike kokainë, 1 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, qindra qese farmaceutike që shërbejnë për paketimin e lëndëve narkotike, dy peshore elektronike, dhe 5 aparate celulare.