EMOCIONUESE/ Dashuria e gjeti rrugën pas 35 vitesh, prindërit i ndanë kur ishin adoleshentë, shqiptari dhe vajza belge ribashkohen

E kemi lexuar nëpër libra se dashuritë e mëdha , herët a vonë, e gjejnë gjithmonë rrugën për te njëri-tjetri. Dhe këtë e vërtetojnë më së miri, Ramadani dhe Anne Van Esse, historia e dashurisë e të cilëve është fiks si ato romanet që kemi lexuar apo filmat romantikë që kemi parë.

Ramadan Rushiti, shqiptari 13 vjeçar asoj kohe u dashurua me vajzën belge, e cila kishte një baba që ishte abolutisht kundër lidhjes të së bijës me shtetas të huaj.

Ndonëse në fshehtësi ata arritën të shijonin për dy vite dashurinë e tyre fëmijnore, nën emocionet e forta të moshës, babai i Anne Van Esse arriti që t’i ndante duke “thyer” kështu zemrat e dy adoleshentëve që pa kuptuar kishin arritur të gjenin te njëri-tjetri dashurinë e jetës së tyre.

E kështu, secili bëri jetën e tij, të dy u martuan me të tjerë persona, lindën fëmijë e më pas u divorcuan, por pas 35 vitesh Zoti deshi që rrugët e “dy adoleshentëve çapkënë”, tashmë të rritur, të bashkoheshin sërish.

Vetë Ramadani ka treguar se ka qenë një shoku i tij i cili gjeti dashurinë e vjetër të mikut në “Facebook” dhe menjëherë ia tregoi atij. Pa humbur kohë Ramadani e kontaktoi dhe më pas filluan të bisedojnë.

Tashmë janë bashkë, madje Ramadani ka shkuar i ka kërkuar dorën babait të Annës dhe në muajin maj të vitit 2024 ata do të kurorëzojnë në Krujë dashurinë e tyre disavjeçare, e cila pavarësisht pengesave, viteve s’u shua kurrë.


Shtuar 28.11.2023 14:44