Twitter është afër pranimit të propozimit prej 46.5 miliardë dollarësh të Elon Musk.
Bordi drejtues prej 11 anëtarësh është në negociata me Elon Musk në lidhje me ofertën e tij për të blerë kompaninë.
Diskutimet mes bordit të drejtuesve dhe Musk po zhvillohen pas ofertës së këtij të fundit për të blerë kompaninë dhe pasi ai ka mbledhur tashmë 46.5 miliardë dollarë fonde. Të dyja palët diskutuan detaje të tilla si afati i mundshëm për mbylljen e marrëveshjes, shkruan abcnews.al.
Edhe pse të dyja palët nuk kanë rënë ende dakord, New York Times raporton se kërkesa e miliarderit tani duket mjaft e mundshme. Nëse arrihet një marrëveshje, do të vinte vetëm katër ditë pasi Musk zbuloi një paketë financimi për të mbështetur blerjen.
Kjo bëri që bordi i Twitter-it ta merrte më seriozisht marrëveshjen. Musk e ka bërë të qartë se sheh shumë mangësi në Twitter si një shërbim i mediave sociale. Ai ka thënë se dëshiron ta “transformojë” kompaninë si një “platformë për fjalën e lirë në mbarë globin”./albeu.com