Elektrodë në shtyllën kurrizore, italiani i paralizuar ngrihet sërish në këmbë (VIDEO)

Një shtetas italian i paralizuar është mrekulluar pas vendosjes së elektrodave në shtyllën kurrizore.

Michel Roccati, 30 vjeç është një prej tre pacientëve të paralizuar në Itali të cilët falë elektrodave të vendosura, kanë arritur të ecin, të notojnë përsëri e t`i japin dhe biçikletës.

Komandat kalojnë përmes një tableti të kontrolluar nga pacienti, që lidhet me trurin e stimulon lëvizjen. Megjithatë objektivi final tani është të arrihet në një “by-ass wireless”, të aftë të marrë impulse elektrike nga truri e t`ia dërgojë automatikisht chip-it të implantuar në shtyllën kurrizore. Tashmë, synimi është që sistemi të testohet në një numër më të madh pacientësh.

Michel mbeti viktimë e një aksidenti të rëndë rrugor në 2017-tën. Për muaj të tëra, ai qëndroi i shtruar në spital me shtyllën e kurrizit të thyer në disa vende e asnjë lloj ndjeshmërie të këmbë.

Ai thotë se nuk u dorëzua asnjëherë, por shpresoi gjithmonë se dikur, do të gjendej një zgjidhje për problemin e tij, e hyri të studionte dhe vetë funksionimin e trurit dhe shtyllës kurrizore, ndërsa sot ndihet me fat që mund të ngrihet vetë në këmbë sërish.

“Një ëndërr që vinte pas një makthi të gjatë. Një dhuratë shumë e madhe”, është shprehur njëri prej tyre.


Shtuar 8.02.2022 15:58