Ditën e sotme, Gjykata e Apelit, ka lënë në fuqi masën arrest me burg për Hysen dhe Amarildo Metën, të cilët ndodhen në burg pas vrasjes së babait Pëllumb Meta.
Të dy kishin kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest në burg, në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, por kërkesa e tyre u rrëzua nga Gjykata e Apelit.
Dy djemtë e Pëllumb Metës, qëndrojnë në dhomat e paraburgimit në burgun e Durrësit, ndërsa motra e tyre Hygerta në dhomat e paraburgimit të grave në Tiranë.
Vetëm dy djemtë kishin kërkuar ndryshimin e masës, ndërkohë që vajza Hygerta Meta ka marrë përsipër krimin, duke thënë se ajo e ka vrarë babanë.
Të tre fëmijët vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim lidhur me vrasjen e babait.
Sipas qëndrimit të tyre, ekzekutorja e Pëllumb Metës është vajza Hygerta.
Njoftimi i gjykatës:
Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Nga aktet e ndodhura në dosje rezulton se, më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi me iniciale H.M, banues në fshatin Shën Vlash, Durrës, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Durrës dhe ka bërë kallëzim se babai i tij shtetasi me iniciale P.M banues në Shën Vlash, Durrës, është larguar nga banesa me datë 10.02.2024 dhe nuk është kthyer më. Në vijim të veprimeve hetimore, u gjet trupi i pajetë i shtetasit P. M, të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale janë fëmijët e tij.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personave nën hetim shtetasve me iniciale H. M, H. M dhe A. M, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe ”Fshehja ose asgjesimi i kufomës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 79/c, 278/4, 303 e 25 të Kodit Penal.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 127/1 Regj.Them, datë 26.02.2024, ka vendosur:
1.Të vlerësojë të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetasit H. M, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 79/c, 278/4, dhe 303 e 25 i K.Penal.
2.Të caktojë ndaj shtetasit H. M masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.
3. Të vlerësojë të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetases H. M, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”; “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, e kryer në bashkëpunim te parashikuara nga nenet 79/c, 303 e 25 i K.Penal.
4.Të caktojë ndaj shtetases H. M masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.
5.Të vlerësojë të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetases A. M, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”; “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, e kryer në bashkëpunim te parashikuara nga nenet 79/c, 303 e 25 i K.Penal.
6.Të caktojë ndaj shtetases A. M masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve të bëra, nga personat nën hetim me iniciale H. M dhe A. M, të cilët kërkuan ndryshimin e vendimit caktimin e një mase sigurimi personal atë të “detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 02.04.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare Znj. Alma Kolgjoka, vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 127/1 Regj., datë 26.02.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Tiranë, 02.04.2024
GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM