Aksidenti i rëndë me 8 viktima në Këlcyrë/ Drejtori i policisë Ardian Çipa zbardh dinamikën

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një aksident tragjik ndodhi në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, ku një automjet i cili po transportonte klandestinë në përpjekje për t’i ikur Policisë, ka dalë nga rruga dhe për pasojë 7 emigrantë dhe shoferi kanë humbur jetën.

Drejtori i Policisë së qarkut Gjirokastër, Ardian Çipa, ka dhënë detaje të tjera në lidhje me rrethanat e aksidentit tragjik.

Ai shpjegoi itinerarin dhe manovrat që ka kryer drejtuesi i mjetit, para se të përfundonte buzë lumit Vjosa.

“Rreth orës 02:20 të datës 2 prill në afërsi të Këlcyrës, patrulla këmbësore e stacionit policor Këlcyrë ka hasur një automjet, i cili po vinte me shpejtësi tej normave të lejuara. Në përpjekje e sipër për t’i bërë shenjë për të ndaluar, automjeti është kthyer menjëherë në drejtim të Përmetit. Patrulla e Policisë, e cila ishte me shërbim për kontrollin e territorit në aksin Përmet-Këlcyrë, me automjetin e vet e ka ndjekur deri në afërsi të vendit të ngjarjes. Automjeti ka rënë në afërsi të lumit Vjosa”, tha ai.

Gjithashtu, ai shtoi se drejtuesi i automjetit dyshohet se është nga Shkodra.

Paraprakisht, dyshohet se drejtuesi i automjet dyshohet se është nga qyteti i Shkodrës, kurse personat e tjerë dyshohet se janë emigrantë të paligjshëm. Nuk mund të japim një konkluzion sa i takon shpejtësisë së automjetit. Jemi ende duke kryer veprimet në vendngjarje. Numri i viktimave është i lartë dhe po merren shumë prova për të sqaruar në mënyrë të plotë rrethanat”, shtoi ai.


Shtuar 2.04.2024 10:32