Ekzekutimi i biznesmenit Edmond Mehalla në Elbasan/ Policia shoqëron 10 persona, vijon operacioni për kapjen e autorëve

Mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:35, Elbasani u trondi  nga një atentat me armë zjarri, ku biznesmeni Mondi Mehalla, alias Edmond Hyka 43-vjeç, u ekzekutua brenda automjetit të tij të parkuar.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku u gjet i vrarë shtetasi Mondi Mehalla, alias Edmond Hyka.

Sipas të dhënave paraprake, Mehalla sapo kishte dalë nga zyra e tij, në godinën ku ndodhen bizneset dhe banesa e nënës së tij.

Në momentin që u fut në automjet, ai u qëllua me armë zjarri, duke marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, që shkaktuan vdekjen e menjëhershme.

Dinamika e ngjarjes është vlerësuar nga ekspertët si një ekzekutim tipik mafioz, megjithatë nuk përjashtohet mundësia e një konflikti të mëparshëm, ndodhur gjatë javës së fundit, për motive ende të paqarta.

Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë mbërritën në vendngjarje dhe ngritën pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit.

Kontrollet intensive në terren, në banesa, ambiente të ndryshme dhe rrugë dytësore vazhdojnë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Burime policore, bëjnë me dije se automjeti i përdorur nga atentatorët dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili u largua me shpejtësi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd.

Deri tani, të paktën 10 persona janë shoqëruar dhe po merren në pyetje për të ndriçuar rrethanat e krimit.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht për shqyrtimin e pamjeve filmike të zonës dhe mbledhjen e provave materiale.

Sipas të dhënave zyrtare, 43-vjeçari kishte precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Mësohet gjithashtu, se ai kishte qenë i përfshirë në një konflikt disa ditë përpara vrasjes, pistë kjo që po merret seriozisht parasysh nga grupi hetimor si e mundshme lidhur me motivin e atentatit.

Hetimet vijojnë në disa pista paralelisht, ndërsa operacioni policor në terren mbetet në zhvillim. Autorët e atentatit mbeten ende të paidentifikuar.


Shtuar 1.12.2025 09:27