Hetimi për vrasjen e gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja, i ekzekutuar brenda sallës së gjyqit më 6 tetor të vitit të kaluar, vijon të mbetet i bllokuar, pasi prokuroria ende pret aktin e ekspertimit të telefonit të Elvis Shkambit, i konsideruar si i dyshuari kryesor për krimin e rëndë.
Sipas burimeve, në muajin prill organi i akuzës vendosi ta zgjasë hetimin edhe me 3 muaj, me qëllim administrimin e aktekspertimeve të telefonave të sekuestruar të Elvis Shkambit dhe të xhaxhait të tij, Gjon Shkambi.
Të lidhura
None found
Gjatë kësaj periudhe është përmbyllur ekspertiza për celularin e Gjon Shkambit, por prokurorët nuk mund të mbyllin hetimet pa marrë më parë edhe rezultatin për telefonin e autorit të dyshuar të vrasjes.
Dyshimet e hetuesve janë të përqendruara te mundësia nëse xhaxhai dhe nipi kanë bashkëpunuar ose kanë organizuar paraprakisht ekzekutimin e gjyqtarit. Deri tani, Gjon Shkambi ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për veprimet e nipit të tij, Elvisit, dhe për këtë arsye kundërshton akuzat për vrasje.
Megjithatë, prokuroria dyshon se ai mund të ketë pasur rol bashkëpunues me nipin e tij Elvisin, konkretisht si nxitës për kryerjen e krimit të rëndë. Pikërisht për këtë arsye, hetuesit kërkojnë me ngulm të verifikojnë komunikimet mes tyre, si edhe të analizojnë bisedat që mund të kenë zhvilluar me persona të tretë.
Gjyqtari i Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja u vra me 3 plumba pasditen e 6 tetorit 2025, menjëherë pasi shpalli një vendim kundër familjes Shkambi, i lidhur me një çështje prone në Shkodër.
Menjëherë pas ngjarjes tronditëse, Elvis Shkambi u vetëdorëzua në polici, ndërsa më pas u vu në pranga edhe xhaxhai i tij.
