Evropa Qendrore dhe Veriore po përballet prej 11 ditësh me një valë të fortë të nxehti, e cila ka sjellë temperatura rekord dhe pasoja të rënda.
Në Francë, Météo-France bën të ditur se alarmi i kuq për vapën ekstreme pritet të hiqet mbrëmjen e së dielës, teksa temperaturat parashikohen të bien gradualisht. Pavarësisht kësaj, 37 departamente në vend vijojnë të mbeten në shkallën më të lartë të alarmit.
Të lidhura
None found
Bilanci i kësaj vale të nxehti është rënduar edhe nga humbja e jetëve njerëzore. Në Marsejë, një foshnjë 18-muajshe u gjet në gjendje kritike brenda një makine të lënë në parkingun e një spitali universitar. Autoritetet thanë se fëmija u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi të mbijetojë.
Një tjetër rast tragjik u regjistrua të hënën në jug të Francës, ku dy fëmijë të moshës 2 dhe 4 vjeç u gjetën pa shenja jete në makinën e familjes, të parkuar në një kompleks banimi.
Po ashtu, të mërkurën humbi jetën edhe një fëmijë 3 vjeç, pasi ishte lënë vetëm në një automjet në kushte temperaturash përvëluese.
Pasojat e motit ekstrem janë ndjerë edhe në sektorin energjetik. Tre reaktorë u detyruan të ndalnin përkohësisht funksionimin për shkak të kushteve atmosferike, duke shkaktuar rënie të prodhimit të energjisë elektrike.
Ndërkohë, autoritetet vazhdojnë t’u kërkojnë qytetarëve të shmangin qëndrimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të mos lënë asnjëherë fëmijë apo kafshë të mbyllura në automjete, edhe për pak minuta.
