Eksperti amerikan: Pse Edi Rama është i vetmi që mbështet Ballkanin e Hapur?

Profesori amerikan dhe eksperti i çështjeve që ndërlidhen me politikën e jashtme, Edward P. Joseph, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur edhe për çështjen e Ballkanit të Hapur. Sipas tij, kjo nismë rrit potencialin për ndikimin rus. Lexoni më poshtë pjesë nga intervista e tij:

Ju jeni kundër idesë së Ballkanit të Hapur. Pse një qëndrim i tillë dhe duke parë çfarë po ndodh në Bruksel, a mendoni se ideja e Ramës dhe Vuçiqit për të krijuar iniciativën e Ballkanit të Hapur është legjitime, duke parë çfarë Brukseli po bën dhe se se si një shtet si Bullgaria mund të bllokojë gjithë procesin e integrimit. A e shihni si logjike?

Edward P. Jospeh: Sa i përket Bullgarisë. Kam shkruar dhe kam një zgjidhje për këtë. Aty shpjegohet se si presidenti Biden mund ta zgjidhë çështjen e Bullgarisë. SHBA-ja mund të konfirmojë identitetin e Maqedonisë, në mënyrë bilaterale, mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut. Bullgaria s’mund të bëjë asgjë rreth saj dhe kjo do të provojë dhe tregojë për Bullgarinë që s’mund të kenë sukses.. Kjo është mënyra se si SHBA-ja mund të ketë sukses.

Dhe për Ballkanin e Hapur. Shumë qartë. Është ide e mirë të ketë treg të përbashkët rajonal, është ide e mirë të reduktohen barrierat, nuk është ide e mirë që kjo të bëhet jashtë kornizës së Bashkimit Europian, jashtë vlerave dhe rregullave. Nuk është mirë. Dhe arsyeja pse s’është mirë, sepse ekonomitë në rajon s’janë të barabarta. Serbia është ekonomia më e madhe në Ballkanin Perëndimor dhe të gjitha përfitimet në Open Balkan, shumica e tyre do të shkojnë më shumë tek Serbia sesa tek të tjerët. Do të kenë më shumë investime të jashtme, do të kenë mundësi të eksportojnë mallra me vlerë më të madhe dhe kjo fuqi ekonomike përkthehet në fuqi politike. Ky është problemi kur e ke një shtet që ka tendenca të forta autoritare dhe ky është gabim dhe është e rrezikshme. Kjo është pse Ballkani i Hapur është gabim. Kjo do të çojë në një Serbi më të fortë ekonomike dhe do ta ketë  më shumë e mundur që të minojë sovranitetin e fqinjëve, në mënyrë të veçantë  të Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës. Prandaj, është gabim.

Por, me apo pa “Open Balkan”, Kosova importon miliona nga Serbia brenda muajve…

Edward P. Joseph: Shiko. Kjo është në rregull. Ti mund të kesh tregti me Serbinë. Por s’mund të ketë një iniciativë rajonale ku Serbia dhe fqinjët s’janë në kuadër të një kornize që është më e madhe se shtetet në vete. Nuk duhet t’i lihet vetëm rajonit, sepse nëse i lihet vetëm rajonit, Serbia do të dominojë dhe kjo do të rrisë tensionet mes shteteve dhe rrit perspektivën e Serbisë për të minuar sovranitetin e fqinjëve dhe do të ketë më shumë konflikt që redukton gjithë synimin për të pasur një treg të përbashkët në rend të parë. Tregtia në vete s’krijon mirëbesim. Ajo çfarë ka rëndësi është karakteri i pushteteve, nëse është demokratik apo autoritar. Dhe e shohim çdo ditë në Ukrainë dhe Rusisë, sepse Rusia ka qenë një prej partnerëve kryesor të Ukrainës. A shihni mirëbesim mes Rusisë dhe Ukrainës – s’ka besim. Dhe ju e merrni këtë në Ballkan. Serbia dhe Mali i Zi kanë shumë tregti. Mali i Zi është partneri kryesor për eksport dhe import me Serbinë, por ka besim shumë pak. Pra, ka shumë tregti mes Serbisë dhe Mali të Zi dhe ka shumë pak besim. Pra, kjo është çështja. Që besimi dhe tregtia duhet të jenë në kuadër të një kornize më të gjerë dhe kjo është nën kornizën e gjerë të BE-së.

Por është një arsye që Rama dhe Vuçiq…

Edward P. Joseph: S’pajtohem me arsyen..

Por çfarë mund të thoni për Procesin e Berlinit?

Edward P. Joseph: Po, ata mund ta bëjnë atë. Ata mund të bëjnë Procesin e  Berlinit që s’ka të bëjë asgjë me Bullgarinë. Ata mund të bëjnë Procesin e Berlinit dhe SHBA-ja që po e promovon Ballkanin e Hapur mund ta përkrahë Procesin e Berlinit.

Por, janë katër marrëveshje që s’po e gjejnë rrugën e implementimit. Kancelarja Merkel kishte bërë thirrje disa herë që shtetet duhet të implementojnë marrëveshjet dhe tani kemi parë kancelarin Scholz që erdhi në Kosovë …

Edward P. Joseph: Cili është dallimi aty? Pse duhet të implementosh marrëveshjet në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe jo në kuadër të Procesit të Berlinit? Duhet të jenë marrëveshjet e njëjta, të tregtisë, lirisë së lëvizjes, punësimit, shërbimeve. Pse ata mund ta bëjnë këtë në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe jo në kuadër të Procesit të Berlinit? Janë të njëjtat. Por, ata e bëjnë këtë në një kornizë, ku raporti mes këtyre shteteve dhe respekti reciprok kërkohet nga një fuqi më e madhe. Dhe kjo është bërë në kuadër të vlerave europiane dhe lëvizjes drejt një tregu më të madh të Bashkimit Europian. Dhe SHBA-ja mund ta mbështesin këtë proces. Nëse e bëjnë këtë për Ballkanin e Hapur, mund ta bëjnë edhe për Procesin e Berlinit.

Pse mendoni se SHBA-ja ka një qëndrim mbështetës për Ballkanin e Hapur, sepse kemi parë z.Escobar dhe ambasadori z.Hill që kanë qenë pjesë e takimit në Maqedoninë e Veriut. A e shihni këtë si një përpjekje të SHBA-së që ta ketë nën kontroll se çfarë po ndodh me Open Balkan, apo ata vetëm e mbështesin, sepse ka frikë që mund të ketë influencë ruse përmes Serbisë. A e shihni këtë si një përpjekje të SHBA-së për ta mbajtur nën kontroll, apo vetëm mendojnë që është një mënyrë e mirë për bashkëpunim rajonal?

Edward P. Joseph: Dua të jem shumë i qartë. Nuk mund të spekuloj se pse SHBA-ja e bën këtë. Por, do të përgjigjem tek argumenti që Open Balkan do ta mbajë Rusinë jashtë. Rasti është komplet e kundërta. Open Balkan e rrit potencialin për influencë ruse, sepse sateliti dhe aleati i Rusisë është Serbia. Kështu që nëse Serbia rrit fuqinë ekonomikisht, influenca e Serbisë do të jetë më e madhe dhe influenca e Rusisë do të jetë më e madhe. Kështu që s’ka sens. Arsyeja tjetër është që Rusia hapur po e mbështet Ballkanin e Hapur. Nuk është vetëm Lavrovi, por edhe “Sputnik Serbia” një numër titujsh. Kështu që, nuk them se pse SHBA-ja. Por, nuk është një argument i mirë që Open Balkan e mban jashtë Rusinë.

Por si mund të shpjegohet që Edi Rama e mbështet Ballkanin e Hapur?

Edward P. Joseph: Kjo shpjegohet në artikull. Njerëzit dhe shtetet që i frikësohen Ballkanit të Hapur, i frikësohen Serbisë. Kosova ka arsye të mira për t’iu frikësuar Serbisë. Mali i Zi ka arsye të mira. Boshnjakët dhe kroatët kanë arsye për t’iu frikësuar Serbisë. Shqipëria s’ka, sepse Shqipëria s’ka serbë dhe s’ka pretendime territoriale të Serbisë në Shqipëri. Kur Aleksandar Vuçiq synon Serbinë e Madhe apo Botën Serbe, kjo nuk e prek Shqipërinë. Nuk e prek Shqipërinë. E prek Bosnjën, Malin e Zi, Kosovën. Nuk e prek Maqedoninë e Veriut. Ata kanë çështje me Bullgarinë. Kjo është shumë e thjeshtë. Edi Rama nuk përballet me kërcënime direkte agresioni nga Serbia. Prandaj, ai sheh përfitime politike dhe ekonomike për vete dhe vendin e tij. Kjo është pse.

Le të lëvizim tek pyetja e fundit. Ka të bëjë me Dhomat e Specializuara të Kosovës. Edi Rama ka qenë ditëve të fundit në Kosovë dhe ka thënë se Shqipëria do të hartojë një Rezolutë që do ta prezantojë në Këshillin e Europës dhe do të kërkojë që Këshilli i Europës të distancohet nga Raporti i Dick Martyt. Ai gjithashtu ka thënë se Shtëpia e Bardhë duhet të reflektojë për Dhomat e Specializuara, meqë siç thotë ai ka një lidhje mes Rusisë dhe Raportit të Dick Martyt?

Edward P. Joseph: Nuk mendoj që ky është rasti. Unë mendoj që raporti i Dick Martyt pati sukses nga një raport tjetër, që ishte Clint Wilimason. Kështu që mendoj se njerëzit duhet të shikojnë edhe tek raporti i Clint Wiliamsonit dhe duhet ta ekzaminojnë. Kjo është pika e vërtetë. Ata që kanë kryer krime të luftës duhet të përgjigjen për ato. Kjo është çështja. Edhe nëse janë serbë që kanë kryer krime të luftës, edhe nëse janë kosovarë që kanë kryer krime të luftës, edhe nëse janë të tjerë. Ata që kanë kryer krime lufte duhet të përgjigjen për to, në gjyqe fer, me prova. Roli dhe përgjegjësia e SHBA-së dhe BE-së është që të sigurohen se ka sistem dhe gjyqtarë që e arrijnë këtë. Dhe kjo ka rëndësi për Kosovën dhe Serbinë dhe për kriminelët e luftës që enden të lirë në Serbi. Dhe SHBA-ja dhe BE-ja duhet ta adresojnë këtë dhe gjithashtu edhe për çështje që ndërlidhen me qytetarë amerikanë, siç e kemi rastin e vëllezërve Bytyçi që janë qytetarë amerikanë dhe që janë vrarë pas luftës dhe atë në Serbi, jo në Kosovë. Kështu që, çështja është drejtësi për viktimat dhe Dhomat e Specializuara janë pjesë e kësaj dhe duhet të jetë një qasje e plotë, që sigurohet se ka drejtësi gjithashtu për viktimat shqiptarë të Kosovës.

Edi Rama ka nënvizuar se s’mund të ketë gjykim të UÇK-së, meqenëse thuhet “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Ai ka thënë se çdo kush individualisht duhet të sillet para drejtësisë. Por, që s’mund ta gjykosh UÇK-në, që ishin njerëzit e Kosovës?

Edward P. Joseph: Nuk jam i sigurt që një teori e tillë përdoret në Hagë. A janë duke e shfrytëzuar?

Po prokuroria e përdor “ndërmarrje e përbashkët kriminale”?

Edward P. Joseph; Edi Rama mund ta ketë një opinion për këtë. Por, kjo i përket prokurorit që ta vërtetojë dhe prokurori ka barrën e provës. Është në rregull që Edi Rama të ketë një opinion. Por, nëse ishte apo s’ishte një “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, është çështje për t’u vërtetuar në gjykatë. Prokurori e ka barrën. Ata duhet ta vërtetojnë që ishte dhe duhet të sjellin prova për të treguar këtë, derisa mbrojtja do të jetë aty për ta sfiduar dhe mund ta thonë atë çfarë thonë Edi Rama dhe pastaj i takon gjykatës për të vendosur. Ndoshta gjykatësi në fund do të pajtohet me Edi Ramën, ndoshta jo. Por, duhet të bazohet në prova.