Egnatia kryesuese nuk fal, sukses minimal ndaj Erzenit

“Rrogozhinasit” e Egnatia duket të jenë me të vërtetë një nga pretendentët për titullin kampion të Superiores këtë sezon, teksa pasditen e kësaj të shtune kanë arritur një tjetër fitore, kësaj radhe ndaj “shijakasve” të Erzenit, në “Arenën e Demave”, me rezultatin minimal, 0 me 1.

Goli i vetëm i sfidës erdhi në minutën e 55’-të të saj, ku pas një topi të kapur bukur në zonë nga Arbnor Zejnullai, ky i fundit rrotullohet bukur dhe me një goditje fantastike mposht protierin Hasanbelli, duke i dhuruar avantazhin skuadrës së tij. Sfida nuk do të përfundonte me kaq, pasi në minutën e 90’ Fangaj do të linte me kartonin e kuq, fushën e lojës, por pavarësisht se mbetën 10 minuta lojë, sërish “shijakasit” nuk arritën dot të “çanin” murin e “rrogozhinasve”.

Kështu, falë këtyre 3 pikëve, Egnatia ngjitet në kuotën e 26 pikëve dhe krijon një shkëputje prej 3 pikësh me Partizanin e vendit të 2-të, por që ka luajtur 2 ndeshje më pak se “rrogozhinasit”, ndërsa skuadra e Erzenit mbetet në vendin e 8 të renditjes, me 13 pikë.


Shtuar 4.11.2023 19:10