Edogani dhe Mitsotakis ulen në një tryezë, shmangin çdo kontakt me njëri-tjetrin

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, u ul mbrëmjen e djeshme në një tryezë me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Atmosfera midis dy liderëve ka qenë mjaft e sikletshme, pasi dyshja ndonëse ishin në të njëjtin ambient nuk ka shkëmbyer asnjë fjalë.

Mitsotakis dhe Erdogani kanë shmangur çdo kontakt me sy, raporton CNN Greece.

Dy liderët njihen për marrëdhëniet e tyre të tensionuara, pasi Greqia dhe Turqia kanë pasur historikisht konflikt interesi për ishujt e Egjeut dhe çështjen e refugjatëve në kufirin e Evros midis dy vendeve.

Kryeministri grek dhe presidenti turk, ishin ftuar në tryezën e organizuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, në nder të liderëve që ndodhen në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Kyriakos Mitsotakis shoqërohej nga bashkëshortja e tij Mareva Grabovski-Mitsotakis në pritjen e organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden për nder të liderëve pjesëmarrës në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së 77-të të OKB-së.

Sipas informacioneve, Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar bisedë të përzemërt me presidentin amerikan, i cili ka kujtuar detaje nga vizita e fundit e kryeministrit në Shtëpinë e Bardhë.