Janë bërë publike pamjet nga momenti i vrasjes së ndodhur ditën e sotme në Elbasan ku Liljana Buzo 54-vjeç u ekzekutua nga bashkëshorti i saj Koço Buzo.
Nga pamjet në zonë duket momenti kur ai i ka ndërprerë rrugën të ndjerës, teksa në një dorë mbante një thikë ndërsa në tjetrën kallashnikovin.
Burimet bëjnë me dije se autori e ka goditur gruan fillimisht me thikë në fyt dhe më pas e ka qëlluar me kallashnikov.
E ndjera u qëllua sapo doli nga gjykata e Elbasanit ku po zhvillonte një seancë për divorcin që kishte nisur me personin që i mori jetën pasditen e sotme.
Ndërkohë policia ka mundur që të vërë në pranga autorin e krimit 58-vjeçarin Koço Buzo. Ky i fundit plagosi gjithashtu edhe dy persona, një prej të cilëve avokati i gruas, Gëzim Toçila, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Pasi qëlloi 7 herë ndaj bashkëshortes, avokatit dhe kalimtarit, Buzo ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes por është arrestuar nga forcat e rendit. Viktima ka lënë pas tre fëmijë, një vajzë 26-vjeçare si dhe dy djem, 20 dhe 18-vjeçar./abcnews