E vrau ish-bashkëshorti, gjyqtarja Fildez Hafizi po hetohej ende për vetingun! Vendimi që u dha tani (FOTO LAJM)

Gjyqtarja Fildez Hafizi, e cila u ekzekutua nga ish bashkëshorti i saj në muajin gusht të vitit 2017, ka qenë subjekt i vlerësimit në procesin e vetingut i cili ka zgjatur deri në datën 13 janar 2022.

Mësohet se në këtë datë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur “të deklarojë përfundimin e procesit të rivlerësimit pa një vendim përfundimtar për subjektin Fildeze Hafizi”.

Në dokumentin që disponon “Panorama”, që mban datën 13 janar 2022, trupa e komisionerëve me anëtarë Firdes Shulin, Alma Faskaj dhe Suela Zhegun, vëren se “Komisioni ra në dijeni të faktit nga burime mediatike se subjekti i rivlerësimit Fildeze Hafizi ka ndërruar jetë.

Lidhur me këtë fakt Komisioni iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile me shkresën nr. *** prot., datë 22.10.2021, për certifikatën e vdekjes së znj. Fildeze Hafizi, e cila me shkresën nr. *** prot., datë 3.11.2021, informon dhe përcjell certifikatën e vdekjes së znj. Fildeze Hafizi, ku konstatohet se ka ndërruar jetë në datën 31.8.2017”.

Në vendim përmendet se e ndjera ushtronte detyrën e gjyqtares në gjykatën e Shkodrës dhe se për shkak të hyrjes në fuqi të ligjit të rivlerësimit në 2016, pra një vit përpara se gjyqtarja të vritej, plotësoi dokumentat dhe i dorëzoi për kontrollin e trefishtë.

Gjyqtarja Hafizi sipas KPK kishte dorëzuar deklaratë e pasurisë pranë ILDKPI, për kontrollin e figurës pranë DSIK si dhe formularin për aftësitë profesionale. Komisioni çmon se në kushtet kur gjyqtarja ka ndërruar jetë deklarohet përfundimi i rivlerësimit pa një vendim përfundimtar.

“Komisioni, pas fillimit të procedurës së rivlerësimit në kushtet kur subjekti ka ndërruar jetë, çmon se duhet të përfundojë këtë procedurë pa një vendim përfundimtar në bazë dhe për zbatim të ligjit nr. 44/20151 të Kodit të Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë neni 90, ku parashikohet: “Procedura administrative, e nisur me kërkesë apo kryesisht, deklarohet e përfunduar pa një vendim përfundimtar për çështjen, në rastet e parashikuara në nenet 93- 96 të këtij kodi” dhe të nenit 93, ku parashikohet: “Nëse pala, personi fizik, vdes gjatë zhvillimit të procedurës administrative që zhvillohet për një çështje të karakterit personal, organi publik deklaron të përfunduar procedurën administrative, pa marrë një vendim përfundimtar për çështjen”, thuhet ne dokument./Panorama/

Shtuar 20.01.2022 17:12